LAJMI I FUNDIT:

Kurti uron Jacinda Ardern për mandatin e dytë si kryeministre e Zelandës së Re

Kurti uron Jacinda Ardern për mandatin e dytë si kryeministre e Zelandës së Re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka shkruar letër urimi kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ku ndër të tjera ka thënë se programi i saj qeverisës ka qenë shembull për tu ndjekur.

Kurti në këtë letër ka theksuar se nëpërmjet platformës Aleanca Progresive ku bën pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje do të krijojnë marrëdhënie bilaterale dhe punojnë së bashku.


Letrën e ka publikuar, Kreshnik Ahmeti, anëtarë i LVV-së, i cili po ashtu ka publikuar letrën e përkthyer.

Letra e plotë në gjuhën shqipe:

Shkëlqesia Juaj,

E Nderuara Kryeministre Znj. Jacinda Ardern,

Kam kënaqësinë të përcjelli konsideratat më të larta për Shkëlqesinë tuaj dhe gjithashtu, të përcjelli urimet më të përzemërta për sigurimin e mandatit të dytë si Kryeministre e Zelandës së Re, pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e së shtunës së kaluar.

Programi juaj politik dhe qasja juaj qeverisëse, veçanërisht në kohët e vështira, sikurse kjo e pandemisë nëpër të cilën po kalojmë të gjithë, ka qenë një shembull për t’u ndjekur jo vetëm nga ne në Republikën e Kosovës, por për të gjithë social-demokratët gjithandej nëpër botë.

Po e shkruaj këtë letër në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Republikën e Kosovës, e cila është lëvizja më e madhe politike në vend dhe është anëtare në Aleancën Progresive, sikurse Partia e juaj Laburiste e Zelandës së Re. Dua të falënderoj Shkëlqesinë tuaj për mbështetjen që ia keni dhënë anëtarësimit tonë në Aleancën Progresive më 18 shtator, 2020. Shpresoj që nëpërmjet kësaj platforme, subjektet tona do të krijojnë marrëdhënie bilaterale dhe do të punojnë së bashku në përpjekjet tona të përbashkëta si social-demokrat.

Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si ish Kryeministër, i jap rëndësi të madhe raporteve bilaterale të të dy shteteve tona dhe shpresoj që në të ardhmen do t’i zgjerojmë dhe thellojmë ato.

Shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur përsëri, znj. Kryeministre, konsideratat më të larta për Shkëlqesinë tuaj.

Sinqerisht i juaji,

Albin Kurti

Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ish Kryeministër i Republikës së Kosovës . /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Drejtësi
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Kalo në kategori