LAJMI I FUNDIT:

Libri “Mini Dental Implants: Prosthodontics of the Future” nga Ass.Dr.Sci. Visar Disha, zgjidhje për pacientët pa dhëmbë

Libri “Mini Dental Implants: Prosthodontics of the Future” nga Ass.Dr.Sci. Visar Disha, zgjidhje për pacientët pa dhëmbë

Me këtë libër, të promovuar ditë më parë, do të përfitojnë jo vetëm specialistët e stomatologjisë, por edhe studentët e stomatologjisë dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i thellojnë njohuritë e tyre në lëminë e Mini Implanteve dentare

Libri është botuar në Gjermani, në një ndër shtëpitë botuese më të njohura dhe më prestigjioze në botë “Scholars’ Press”, transmeton Telegrafi.


Çka shtjellon ky libër?

Në të kaluarën, para shpikjes së implanteve dentare, protezat e lëvizshme totale dhe parciale kanë qenë opsionet e vetme të trajtimit të pacientëve pa dhëmbë në gojë dhe të atyre që ju mungojnë disa dhëmbë.

Protezat totale dhe parciale ende paraqesin opsionin e vetëm të disponueshëm të trajtimit për shumicën e popullatës për shkak të kostos së ulët edhe pse protezat mund të shkaktojnë shumë vështirësi për pacientët.

Mungesa e stabilitetit dhe lëvizja e protezës është problematika më e madhe për pacientët pa dhëmbë, ku si pasojë e jo-stabilitetit të protezave pacientët nuk mund të përtypin mirë ushqimin duke shkaktuar pengesa në lukth si pasojë e përtypjes jo të mirë, meqë rast pacientët i largohen ushqimeve të forta duke zgjedhur ushqime të buta që si pasojë shpie te mungesa e vitaminave dhe proteinave në ushqim.

Gjithashtu frika se mos proteza ju bie gjatë të folurit e shpie pacientin edhe në probleme tjera në aspektin shoqëror. Problem të veçantë kanë me protezën në nofullën e poshtme ku për shkak të atrofisë së kockës, sipërfaqes së vogël, indeve aktive që e rrethojnë protezën e poshtme: si gjuha, faqet dhe buzët, të cilat lëvizin sipas aktivitetit të muskujve përtypës, të gjitha këto e vështirësojnë bartjen e protezës në nofullën e poshtme.

Këto probleme të pacientëve mund të zgjidhen me Mini implante dentare që sigurojnë stabilitet më të mirë të protezave dhe zvogëlojnë vështirësitë që lidhen me funksionin oral.

Mini implantet dentare zvogëlojnë ndjeshëm humbjen e kockës alveolare si dhe zvogëlojnë atrofinë e kreshtës së mbetur, minimizojnë paqëndrueshmërinë e protezave, dhimbjen për shkak të lëvizjes së protezave, duke përmirësuar efikasitetin e përtypjes.

Përveç këtyre efekteve të lartpërmendura, mini implantet dentare, kanë ndikim pozitiv edhe në parametrat psikosocialë: të folurit më të mirë dhe më të lehtë me proteza, vetëvlerësimi i rritur i pacienteve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës të lidhur me shëndetin oral.

Procedura për vendosjen e mini-implanteve dentare, ku preferohet zakonisht vendosja e katër mini-implanteve dentare në nofullën e poshtme dhe gjashtë mini-implante dentare në nofullën e sipërme, për ta stabilizuar protezën. Procedura e vendosjes nuk përfshin ndërhyrje invazive kirugjike.

Koha e shërimit pas vendosjes së mini-implanteve dentare, është më e shkurtër që mundëson rimëkëmbjen më të lehtë dhe më të shpejtë të pacientit, kthimin në punë dhe rifillimin e aktiviteteve të përditshme. Para vendosjes së mini-implanteve dentare nuk ka nevojë për shtim artificial të kockës. Dhimbja post-operatore është shumë më e lehtë dhe në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për përdorimin e analgjetikëve. Ka një kosto më të përballueshme, si dhe shkallë të lartë të suksesit.

Si lindi ideja të shkruhet libri?

Gjatë studimeve të Doktoratës në Universitetin e Zagrebit në Kroaci, jam marrë në mënyrë aktive me vendosjen e mini implanteve dentare tek pacientët që kanë pasur proteza totale si dhe proteza parciale dentare, dhe kam arritur në rezultate të shkëlqyeshme ku suksesi ishte mbi 98%, e kam parë të arsyeshme që përvojën time 5 vjeçare në lëminë e mini implanteve dentare ta drejtojë në shkruarjen e librit.

Libri i shkruar në gjuhën angleze “Mini Dental Implants: Prosthodontics of the Future” (Mini Implantet Dentare: Protetika e së ardhmes), është një sfidë për mua që të jem në hap me shumë ekspert botërorë të kësaj fushe.

Ky libër është botuar në Gjermani, në një ndër shtëpitë botuese më të njohura dhe më prestigjioze në botë “Scholars’ Press”. Me këtë libër do të përfitojnë jo vetëm specialistët e stomatologjisë, por edhe studentët e stomatologjisë dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i thellojnë njohuritë e tyre në lëminë e Mini Implanteve dentare.

Libri mund ta gjeni në njërën nga platformat më të mëdha online sikur që është Amazon.com.

Disa fjalë për autorin

Ass.Dr.Sc Visar Disha është specialist i Protetikës Stomatologjike, ka doktoruar në Universitetin e Zagrebit në Kroaci me sukses të lartë “Magna Cum Laude” në lëminë e Protetikës dhe Implantologjisë.

Aktualisht punon në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Stomatologjisë si Asistent i Protetikës Stomatologjike. Ka përfunduar trajnime në vende të ndryshme të Evropës (Kroaci, Itali, Shqipëri, Maqedoni, Turqi dhe Austri). Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, kroate, italiane, turke dhe gjermane.

Ass. Dr. Sc Visar Disha ka marrë pjesë në prezentimin e punimeve shkencore në Kongrese në vende të ndryshme të Evropës (Holandë, Spanjë, Kroaci, Hungari, Zvicër), ku edhe fitoi çmimin e punimit më të mirë në Kongresin e 5-të të Protetikës dhe Implantologjisë, të mbajtur në Zagreb, në qershor të vitit 2019. Ka botuar disa punime shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori