LAJMI I FUNDIT:

Shpallen heronj të Kosovës policët e rënë në detyrë

Shpallen heronj të Kosovës policët e rënë në detyrë

Në 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shpallur heronj të Kosovës 19 policët e rënë në krye të detyrës.

Këtë e ka bërë të ditur Bashkim Smakaj nga zyra e Presidentit, në ceremoninë e organizua për shënimin e 21 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Smakaj tha se rreziqet me të cilat ballafaqohen policet tashmë janë të njohura për të gjithë, madje ata punojnë edhe pa sigurime shëndetësore.


Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu derisa e ka vlerësuar lartë kontributin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovë që ranë në detyrë, tha se Policia e Kosovës është ngritur në një institucion modern qe është shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Veliu theksoi nevojën për tu bashkuar dhe për të shërbyer në mënyrë që të bëhet vendi më i ndritshëm dhe më i sigurt.

Ai po ashtu tha se është koha të shkohet një hap përpara dhe të promovohet një polici moderne dhe partner i besueshme për qytetarët, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtar.

Kurse, drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj derisa e ka përshëndetur vendimin e presidentit theksoi se Policia e Kosovës do jetë në shërbim të çdo qytetari dhe kriminelet do t’i sjell para drejtësisë.

Qalaj tha se në këtë kohë pandemie pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë në vijë të parë të frontit duke punuar nga 12 orë, shtatë ditë në javë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe familjarët e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në detyrë, e të cilët i morën edhe medaljet me titujt heronj të policëve të vrarë, raporton KP.

Kujtojmë që policë të rënë në krye të detyrë janë gjithsej 21 policisë të cilët me dekret të presidentit janë shpallur heronj të Kosovës. Policët Izet Demaj dhe Enver Zymberi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shpallur heronj kohë më parë.