LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Jo dialog teknik me Serbinë, vetëm njohje reciproke

Hoxhaj: Jo dialog teknik me Serbinë, vetëm njohje reciproke

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon të mos ketë dialog teknik me Serbinë, por vetëm njohje të ndërsjellë. Kështu është shprehur ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj si fillim shpjegoi refuzimin nga PDK të ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti në takimin ndërpartiak për dialogun, pasi siç i shpreh ai “aktualisht nuk ka një platformë dhe strategji mbi të cilën zhvillohet dialogu” e mbi të gjitha, sipas PDK-së “nuk duhet të ketë proces, por marrëveshje”.

“Ne mendojmë se dialogu nuk është i përgatitur, meqenëse qeveria ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus të brendshëm mes partive politike, pa koordinim institucional dhe pa ndonjë përvojë të kryeministrit e pa ndonjë ekspert, kështu që takimet formale me kryeministrin për ne nuk kanë vlerë, për aq kohë sa nuk arrihet ndonjë gjë në Kuvend”, u shpreh Hoxhaj, për Euronews Albania.


Hoxhaj konfirmoi se të njëjtën qasje e kishte opozita edhe në kohën kur qeveriste PDK-ja.

“Mendoj se në atë kohë opozita ka treguar një qasje që nuk ishte në dobi të vendit, por në atë kohë ne kishim dallim sepse patëm dorëzuar në Kuvend një platformë, e cila qe mbështetur edhe nga një pjesë e opozitës, por nuk gjeti vullnet politik që procesi të shtyhet përpara. Aktualisht në këtë fazë, si risi, ne mendojmë se në 2020-ën ne nuk mund të dialogojmë me Serbinë, sikurse kemi bërë në 2011-ën apo 2015-ën ku ka pasur çështje, tema dhe probleme… Të vetmen gjë që kërkojmë është që të kemi njohje të ndërsjellë, pra marrëveshje dhe jo proces”, theksoi ish-ministri Hoxhaj duke këmbëngulur se njohja e ndërsjellë është e mundur.

Hoxhaj kujtoi një letër të vitit 2018-të, adresuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ku flitej për njohje të ndërsjellë, qasje të cilën PDK pret që ta përqafojë edhe BE-ja.

Hoxhajt komentoi edhe tryezën e vitit 2018 kur përflitej se ishte diskutuar edhe çështja e territoreve dhe se kjo u konfirmua edhe nga ish-ambasadori John Bolton.

“Ajo që ka thënë Bolton nuk është asgjë e re dhe nuk është ndonjë ngjarje spektakolare. Është e vërtetë që Thaçi ka pasur qëndrim të tillë publik për korrigjim të kufirit, jo për shkëmbim territoresh dhe kjo nuk ka qëndrim zyrtar të shtetit të Kosovës, pasi asnjë platformë e miratuar nga Kuvendi nuk kishte qëndrim të tillë, por ishin të Presidentit Thaçi. Mendoj se kjo temë është përdorur më së shumti në Prishtinë e Tiranë për të sulmuar udhëheqës institucionalë se sa ka qenë një temë reale e diskutuar”, theksoi Hoxhaj, duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë takim, harta apo diskutim për këtë çështje, por vetëm propozim.

I pyetur se në çfarë forme duhet arritur dhe artikuluar vullneti politik i Kosovës ndaj dialogut, Hoxhaj tha se aktualisht qeveria nuk e ka treguar një vullnet bashkërendues me të gjitha palët.

Ish-ministri i Jashtëm u shpreh se frika që mbizotëron në Prishtinë është se “nëse nuk ka marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë mund të shkohet në status-quo të pafundme”.

Sipas Hoxhajt, BE-ja ka rol ndërmjetës në dialog, rol që buron nga rezoluta e OKB-së, por marrëveshja që mund të arrihet mes Kosovës e Serbisë mund të zbatohet vetëm nëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Nju Jork e mbështet një marrëveshje të tillë.

“Në këtë drejtim roli i SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Kinës është shumë vendimtar dhe këtu ne kërkojmë që të ketë koordinim, sepse marrëveshja nuk mund të zbatohet vetëm nëse miratohet në parlamentet e dy vendeve, por vetëm nëse miratohet edhe në OKB”, tha Hoxhaj, duke kujtuar se Kosova ka kundërshtarë politikë në këtë prizëm interesat gjeopolitike ruse e kineze.