LAJMI I FUNDIT:

Bajrami: Janë siguruar burimet financiare për zbatimin e pakove të pandemisë, i nevojshëm rishikimi i buxhetit

Bajrami: Janë siguruar burimet financiare për zbatimin e pakove të pandemisë, i nevojshëm rishikimi i buxhetit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se kanë shkuar shumë vërejtje në adresë të këtij institucioni për moszbatimin e masave të Pakos Emergjente gjatë pandemisë COVID-19.

Bajrami me anë të shkrimi në Facebook, ka thënë se janë siguruar burimet financiare por se është i nevojshëm rishikimi i buxhetit.

“Me lejoni të ju njoftoj se Ministria e Financave ka gjetur burime financiare për zbatimin e të gjitha masave të Pakos paraprake dhe për masat e reja për rimëkëmbje ekonomike, por këto mjete financiare mund të shpenzohen vetëm pasi të kalojë rishikimi i Buxhetit”, ka shkruar Bajrami, përcjell Telegrafi.


Shkrimi i plotë

Të nderuar qytetarë,

Kanë ardhur shumë vërejtje në adresë të Ministrisë së Financave për mos implementim të masave të pakos emergjente.

Dua të ju bëj me dije disa gjëra.

E para, sipas rregullores së re të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Financave është përgjegjëse për sigurimin e buxhetit për implementim të plotë të pakos emergjente dhe ekzekutim të pagesave përmes Thesarit, sipas kërkesave që bëjnë ministritë e linjës.

Me lejoni të ju njoftoj se Ministria e Financave ka gjetur burime financiare për implementim të të gjitha masave të pakos paraprake dhe për masat e reja për rimëkëmbje ekonomike, por këto mjete financiare mund të shpenzohen vetëm pasi të kalojë rishikimi i Buxhetit.

E dyta, sipas rregullores së re të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Financave nuk është përgjegjëse për aprovim të aplikacioneve/kërkesave. Për aprovim të aplikacioneve për të gjitha masat që kanë të bëjnë me masat për sektorin privat është komisioni ndërinstitucional, i cili e ka përfunduar punën e tij në plotëni; është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për aprovim final të listave dhe te Ministria e Financave thjeshtë vjen kërkesa për ekzekutim e cila Thesarit i merr vetëm disa orë për ekzekutim.

Ndërsa për masën numër 15 përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Financave vetëm ekzekuton pagesat.

Kështu, për momentin, implementimi i masave është peng i votimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa në momentin kur kalon rishikimi i Buxhetit në Kuvend, përgjegjësia është të Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për masat në mbështetje të sektorit privat dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për masën numër 15. /Telegrafi/