LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri Hoti: Lufta çlirimtare e Kosovës është arritja më e madhe e popullit të Kosovës

Kryeministri Hoti: Lufta çlirimtare e Kosovës është arritja më e madhe e popullit të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka folur edhe ngritjen e aktakuzës nga Specialja kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi, si dhe për anulimin e pjesëmarrjes së tij në takimin e paraparë për sot në Washington, për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti në një konferencë për media pas kthimit nga Brukseli tha se zhvillimi i fundit e ka ndërruar pak dinamikën në Kosovë.

Sipas tij, lufta çlirimtare e Kosovës është arritja më e madhe e popullit të Kosovës.


“Zhvillimi i fundit e ka ndërruar pak dinamikën në Kosovë. Lufta çlirimtare e Kosovës është arritja më e  madhe e popullit për të luftuar pavarësinë. Akti i shpalljes së pavarësisë është njohur nga GJND-ja, e cila e verteton luftën e Kosovës. Të gjitha institucionet do të tregojnë maturi në këtë situatë ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu foli edhe për proçesin e dialogut Kosovë-Serbi ku tha se pavarësisht ndryshimeve të fundit, Kosova mbetet e përkushtuar, si dhe siç tha Hoti besojnë thellë që dialogu nuk ka alternativë.

”Pavarësisht ndryshimeve në agjenden e ditëve të fundit mbesim të përkushtuar dhe besojmë thellë që dialogu nuk ka alternative. Me interes për Kosovën që ky proçes të mbyllet sa më shpejt. Ne kemi shtyer vizitën në Washington për shkak të zhvillimeve të fundit. Kam pas dialog intensiv me Grenellin”, tha kryeministri Hoti duke shtuar se shumë shpejt do të tregojnë se kur do të filloj dialogu Kosovë-Serbi.

Hoti po ashtu theksoi se janë duke u bërë gati që të marrin pjesë në Samitin e Parisit.

“Tani po bëhen përgatitjet finale për Samitin e Parisit. Jemi të nderuar që kemi një interesim të madh nga presidenti françez dhe kancelarja gjermane”, tha tutje ai.

Ndryshe, Specialja ka ngritur aktakuzë kundër presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Pas kësaj, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë anuluar vizitën në Washington, ku pritej të rifillonte dialogu me Serbinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/