LAJMI I FUNDIT:

Vritet në qendër të Tiranës një 40-vjeçar

Vritet në qendër të Tiranës një 40-vjeçar

Krimi godet në kryeqytet. Mbrëmjen e sotme një person është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri pistoletë zhurmues në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Viktima i identifikuar si Hekuran Billa, 40 vjeç, ka qenë duke lëvizur me një mjet tip BMW X6 e bardhë kur është qëlluar nga një person i maskuar në afërsi të një qendre tregtare.


Për pasojë drejtuesi i mjetit ka gjetur vdekjen në vend. Si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, makina e tij është përplasur me dy të tjera.

Mësohet se në automjet ka qenë dhe një person tjetër por nuk raportohet se ka lëndime.

“Më datë 11.06.2020, rreth orës 22:00, tek Komuna e Parisit në rrethana ende të paqarta është vrarë më armë zjarri shtetasi H.B., 40 vjeç, i cili po qarkullonte me mjetin e tij”njofton policia.

Autori i krimit është larguar menjëherë nga vendngjarja me një automjet në drejtim të autostradës.

Dyshohet se ekzekutori e ka hedhur armën e krimit në një prej koshave të mbeturinave.

Pak minuta më pas në Pezë të Vogël është gjetur një automjet i djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën ku vijon krehjen e zonës për kapjen e autorit.

Menjëherë është ngritur Grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do çojë në identifikimin e autorit.

Ngjarja ka tronditur qytetarët pasur ka ndodhur në një zonë shumë të populluar.

Kush është viktima?

Mësohet se Billa ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 34 vjetësh në burg, për vrasjen e Prel Markut në një klub në Londër.

Nga plumbat e shkrehur nga Billa dhe dy bashkëpunëtorë të tij u plagos dhe pronari i klubit Musa Prahmani.

Billa iku në Danimarkë, por policët e gjurmuan dhe e arrestuan, duke e dënuar për vrasje dhe plagosje.

Ai ishte ekstraduar në Shqipëri disa vite më parë dhe para 1 viti kishte përfunduar dënimin dhe ishte liruar nga burgu i Fushë Krujës./Oranews.