LAJMI I FUNDIT:

“Fryma e Fadilit” , futbolli kosovar vazhdon ëndrrën e Vokrrit

“Fryma e Fadilit” , futbolli kosovar vazhdon ëndrrën e Vokrrit

Mëngjesi i 9 qershorit 2018 ishte tronditës për të gjithë Kosovën. Shteti ynë mbeti pa legjendën Fadil Vokrri i cili tërë jetën ia kushtoi futbollit dhe punoi pareshtur për zhvillimin dhe anëtarësimin në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërsa sot janë bërë dy vite nga vdekja e tij, kombëtarja e Kosovës në futboll është në kulmin e suksesit të saj, dy ndeshje larg kualifikimit në Kampionatin Evropian, kualifikim ky që ishte edhe ëndërr dhe amanet i vet Vokrrit.


Në këto dy vite ka ndodhur shumëçka në futbollin kosovar. Mirëpo pasuesi i Fadil Vokrrit, njëkohësisht kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi u shpreh se në këto dy vite janë munduar që të bëjnë më të mirën të mundshme, duke vazhduar nga aty ku e ka lënë ai.

“Normalisht nuk kanë qenë të lehta, por fati im që kam qenë nga llimi në Federatë, dhe mund të them se jam njeriu më i vjetër me përvojë në futboll dhe faktikisht nga të gjithë kryetarët e mëparshëm edhe nga Fadili kam marrë atë të cilën kamë mundur të marr më të mirën dhe faktikisht kam vazhduar. Besoj që nuk ka qenë e lehtë, por e tej kalueshme dhe thjesht mendoj që kemi bërë më të mirën të mundshme që është dashur”, deklaroi Ademi.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu i cili njihet edhe si miku më i ngushtë i Vokrrit, deklaroi se në këto dy vite pa të nuk ka pasur fare qetësi. Sipas tij, disa individë janë duke punuar për të keqen e futbollit kosovar. Gjithashtu Salihu tha se shpreson që Kosova të kualikohet në Evropian në mënyrë që të jetësohet një ëndërr dhe do të kthehet një borxh ndaj Vokrrit.

Eroll Salihu në emisionin “Dueli Sportiv”

“Ju po e shihni edhe vet, nuk ka pasur qetësi fare për arsye se nuk po tregohemi një popull që e duam shtetin, e duam institucionin por gjithmonë tentojmë që ndoshta të minojmë…. Po e them haptazi kështu mendoj që futbolli e ka kryer misionin e vet më të mirë se të gjithë të tjerët edhe duhet të investojmë shumë që të mbajmë këtë rend dhe t’i tregojmë krejt botës që Kosova ka sportistë të mirë, ka futbollistë të mirë dhe para së gjithash një popull që di të presë në mënyrë sportive”, tha Salihu.

Muharrem Sahiti, ndihmës trajner i kombëtares së Kosovës, u shpreh se me ardhjen e Agim Ademit në krye të Federatës së futbollit të Kosovës, nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket menaxhimit në kohën sa ishte gjallë Fadil Vokrri.

“Jeni dëshmitar të kombëtares tonë me këto rezultate, me këto suksese dhe sikur kjo na ka mbajtur, kjo fryma e Fadilit, strategjia e Fadilit që ka pas dhe me ardhjen e Agimit sikur nuk ka ndryshuar në kuptimin e menaxhimit të federatës, kjo është vërtetuar edhe më këto rezultate të kombëtares. Unë e thash edhe pse zikisht na mungon, por që shpirtërisht gjithmonë e kemi Fadilin. Fadili nuk është, por ne jemi me Fadilin gjithmonë, jemi me Fadilin dhe gjithmonë do ta përkujtojmë”, u shpreh Sahiti.

Kryetari i tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha për KosovaPress deklaroi se vdekja e Vokrrit ka lënë një boshllëk të madh në futbollin kosovar, mirëpo puna asnjëherë nuk është ndalur.

“Gjithmonë një njeri i madh lë boshllëk, por kemi vazhduar edhe pse kemi pasur humbje të madhe edhe në aspektin shtetëror por është dashur të vazhdojmë. Me vdekjen e Fadilit jemi dëshpëruar, normalisht ka qenë një dhimbje e madhe që ka iku një njeri por amaneti i tij ka qenë që të vazhdojmë përpara dhe mendoj që e kemi arritur deri sot. Mendoj që amaneti i fundit është të kualikohemi në Evropian që të gëzojë një popull të tërë dhe të lartësohet edhe më shumë emrin e tij”, potencoi Berisha.

Kujtojmë që Fadil Vokrri ndërroi jetë më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. Ai u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në mandatin e tij të dytë.