LAJMI I FUNDIT:

​Aktakuzë kundër tetë personave për falsifikim të dokumenteve

​Aktakuzë kundër tetë personave për falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., E.Xh., F.Xh., dhe B.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2, e në lidhje me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, të pandehurit: M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., dhe E.Xh., që nga fillimi i vitit 2018, e deri më datë 09.10.2019, në Prizren, Prishtinë, Obiliq dhe Mitrovicë, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, përpilojnë dokumente të falsifikuara, me qëllim të shfrytëzimit të atyre dokumenteve si origjinale, ashtu që duke qenë pjesë e një grupi, veprojnë në bashkëkryerje me qëllim të kryerjes së veprave penale për përfitim të dobisë pasurore, në atë mënyrë që persona të ndryshëm të cilët nuk kanë aplikuar fare për sigurimin e dokumentit në institucionet përkatëse, merren vesh fillimisht me të pandehurit M.H., dhe D.G., të cilat kërkesa gojore këta të fundit i përcjellin tek i pandehuri A.R., i cili më pas i përcjell tek të pandehurit M.B., D.M., dhe E.Xh., dhe këta të fundit i falsifikojnë dokumentet në fjalë secili duke kryer rolin e tij dhe duke i pajisur aplikuesit/qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria me diploma false të shkollave të mesme, në kundërvlerë të pagesave prej 1,300 deri në 2000 euro për diplomë.

Të njëjtat dokumente në mënyrë të organizuar të grupit, duke shkuar duar më duar, secili duke kryer veprimet e tij, i’a dorëzojnë fillimisht të pandehurit A.R., ky i fundit i dorëzon të pandehurve M.H., dhe D.G., e të cilat më pas nga këta të pandehur i’ u dorëzohen personave të cilët kanë qenë të interesuar për sigurimin e dokumentit në fjalë, e të cilët në kundërvlerë paguajnë shumat e parave.


Këtë e bëjnë deri më datë 09.10.2019, ku përmes aplikimit të masave të fshehta, përmes zyrtarëve të kamufluar dhe infiltruar, arrihet që nga ky grup të sigurohet diploma e lëshuar në emrin e personit nën kamuflimin, i cili aplikon te ky grup dhe merr diplomë kinse i njëjti ka kryer shkollën e mesme teknike “Hasan Tahsini” në Obiliq, e gjithë kjo në kundërvlerë të pagesës së shumës për këtë të fundit prej 1,300 euro, me ç’rast të pandehurit M.H., dhe A.R., kapen në flagrancë nga zyrtarët policorë në momentin kur ishin duke bërë shkëmbimin e parave dhe diplomës së bashku me dëftesat shkollore të falsifikuara. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve””, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, të pandehurit: M.H.,A.R., F.Xh., dhe B.A. nga koha e pa vërtetuar, e deri më datë 09.10.2019, në Prizren, Prishtinë dhe Podujevë, përpilojnë dokumente të falsifikuara, me qëllim të shfrytëzimit të atyre dokumenteve si origjinale, ashtu që duke qenë pjesë e një grupi, veprojnë në bashkëkryerje me qëllim të kryerjes së veprave penale për përfitim të dobisë pasurore, në atë mënyrë që persona të ndryshëm të cilët nuk kanë aplikuar fare për sigurimin e dokumentit në institucionet përkatëse, merren vesh fillimisht me të pandehurit M.H., dhe A.R., të cilat kërkesa gojore këta të fundit i përcjellin tek e pandehura F.Xh., dhe kjo e fundit tek i pandehuri B.A., i cili i falsifikon dokumentet në fjalë duke i pajisur aplikuesit/qytetarët me diploma false për kryerje të veprimtarisë së pavarur.

Të njëjtat dokumente në mënyrë të organizuar të grupit, duke shkuar duar më duar, secili duke kryer veprimet e tij, i’a dorëzojnë personave të cilët kanë qenë të interesuar për sigurimin e diplomave në fjalë, e të cilët në kundërvlerë paguajnë shumat e parave, këtë e bëjnë deri më datë 09.10.2019, ku përmes aplikimit të masave të fshehta, përmes zyrtarëve të kamufluar dhe infiltruar, arrihet që nga ky grup të aplikohet dhe sigurohet diploma e cila mbanë emrin e personit nën kamuflimin, e cila diplomë është lëshuar kinse i njëjti ka kryer veprimtarinë e pavarur zejtare për instalime të rrymës – tensioni i ulët dhe e cila mbanë datën 15.06.2009, e gjithë kjo në kundërvlerë të pagesës prej 500 euro për diplomë,me ç’ rast, të pandehurit M.H., dhe A.R., kapen në flagrancë duke bërë shkëmbimin e parave dhe diplomës së falsifikuar.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi të pandehurit kanë kryer veprën penale, “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë./Telegrafi/