LAJMI I FUNDIT:

Bajrami flet me Auditorin e Përgjithshëm për projektet e MASHTI-t dhe menaxhimin e financave

Bajrami flet me Auditorin e Përgjithshëm për projektet e MASHTI-t dhe menaxhimin e financave

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, të mërkurën ka pritur në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani.

Bajrami e njoftoi Osmanin me aktivitetet dhe projektet e MASHTI-t të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë.

Ajo foli për procesin e realizimit të mësimit në distancë në këtë periudhë pandemie, si dhe për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi.


Ministrja nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të mirë të financave publike dhe qeverisjes transparente duke shprehur zotimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në arritjen e këtyre objektivave.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rëndësinë që ka aspekti i menaxhimit dhe kontrollit të financave publike në funksion të përmirësimit të qeverisjes.

Ai theksoi se përmbushja e rekomandimeve të ZKA-së, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës financiare dhe qeverisjes së mirë. /Telegrafi/