LAJMI I FUNDIT:

Besa e shqiptarëve

Besa e shqiptarëve

Nga: Lovro Mihaçeviq (1883-1907)
Përktheu (fragment nga vepra “Nëpër Shqipëri): Anton Filipaj

Për të dëshmuar çfarë ështê besa shqiptare, po rrëfej edhe njê shembull. Një të premte mbrëma, pasi muslimanët kanë dalur nga xhamia, kanë bërë hoka ndërmjet vetes në oborr të xhamisë, mirëpo loja ka përfunduar me gjak. Dy prej tyre në lojë e sipër, janë fjalosur, pasi janë ngatërruar, kanë nxjerrë revolet nga brezi, njëri prej tyre ka vrarë shokun dhe duke përshkuar nëpër popull është bërë tym.

Me të shpejtë ka rënë muzgu e ai duke ikur ka parë një bullë (grua me veshje muslimane) në derë të avllisë, i është ofruar dhe i ka kërkuar besë, ta pranoj[ at natë në konak pasi ka rënë në gjak. Bulla i ka dhënë besë dhe në besë e ka futur në shtëpi duke mos e ditur se ke po e pranon në shtëpi të vet dhe kujt po i jep besë, e as vrarësi nuk e ka ditur, as në mend nuk i ka vajtur prej kujt ka marrë besë, kujt i ka rënë në dorë dhe në shtëpinë e kujt është strehuar.


Babai dhe dy vëllëzërit e të vrarit kanë ndjekur e kërkuar vrasësin, por nuk e kanë arritur, ashtu të lodhur e të kastiguar janë kthyer në shtëpi. Nëna u ka bërë gati darkën dhe u ka shtruar sofrën, pasi nuk e ka parë djalin e tretë, i ka pyetur se ku është ai? Ata i treguan se çfarë ka ndoshur, si është vrarë para xhamisë dhe si e kanë ndjekur vrasësin, por ai u ka shpëtuar duke ikur nëpër popull e u është fshehur diku në terr. Nëna kur ka dëgjuar çfarë i kanë treguar, i ka rënë hija e vdekjes në fytyrë e i është ngrirë gjaku në denj, por sekretin e vet nuk e ka zbuluar.

Vrasësi i birit të saj ka qenë në duart e saja, mirëpo ajo e ka marrë në besë e besa është e shenjtë, nuk guxohet të shkelet. Pasi kanë hangër darkë, kanë marrë mashkujt lopatat dhe kanë shkuar të varrosin në varreza para xhamisë birin e vrarë. Tani nëna ka shfrytëzuar momentin, e ka nxjerrë djaloshin përjashta, i ka dhênë për rrugë një copë bukë e nëj dorë djathë dhe e ka pêrcjellur jashta avllisë duke i thënë: “Na kêtê bukë, le ta keshë për rrugë, të kam marrë në besë dhe besën e kam mbajtur, shko tash, shporru qofsh mallkuar, se ma vrave loqkën e zemrës”.