Çfarë ndodhi pas debatit në RTK, flasin Nol Nushi, Tomë Gashi e Milaim Zeka
Para 5 vitesh
Linku i lajmit u kopjua
Sonte në ambientet e televizionit publik (RTK) ka ndodhur një situatë jo e zakonshme mes zyrtarit të PSD-së Nol Nushi dhe avokatit Tomë Gashi. Dy të përfshirët në këtë situatë dhe Milaim Zeka i cili poashtu ishte i pranishëm në debat kanë dhënë versionet e tyre të ngjarjes në RTV Dukagjini.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një lidhje telefonike në “Debat Plus” ka thënë se në ambientet e televizionit publik RTK ka ndodhur një incident mes avokatit Tomë Gashi dhe përfaqësuesit të PSD-së, Nol Nushi.
Zeka i cili ishte pjesë e panelit në RTK thotë se në momentin që kanë dalë siglat ka ndodhur incidenti.
“Toma e ka fyer Nolin shumë rëndë, ku ky i fundit e ka gjuajtur me ujë, pastaj ne ndërhymë dhe nuk lejuam të bëhet diçka më e keqe”.
Zeka thotë se gjatë debatit kanë ndodhur fyerje të rënda.
“Unë personalisht nuk do të pranoja që askush i familjes sime të fyej Albin Kurtin, siç po fyejnë militantët e Vetëvendosjes”, tha ndër të tjera Milaim Zeka.
Ndërkohë zyrtari i PSD-së, Nol Nushi poashtu në një lidhje telefonike në “Debat Plus” ka sqaruar atë që ndodhi në RTK.
Nushi thotë se rrahje nuk ka pasur e as konfrontim fizik mes atij dhe Tomë Gashit.
“Është e vërtetë deklarata e Milaim Zekës se e kam gjuajtur me ujë Tomën pasi jam ofenduar tepër rëndë. Jam sjellë konform situatës. Besoj të gjithë dëshmitarët e kanë parë se sa rëndë jam ofenduar”.
“Nuk kam çfarë të shtoj pos asaj që shihet se çfarë zelli kanë marrë militantët e Vetëvendosjes ndaj neve”.
“Kush më njeh e di që unë nuk jam person që rrihem. Për Tomën nuk kam çfarë të them pasi dihet se si asi është sjellë me lypësin në shesh”.
Nushi thotë se në debate Vetëvendosjen tash e përfaqësojnë Haki Abazi, Tomë Gashi e Agim Bahtiri.
Edhe avokati, Tomë Gashi ka mohuar se ka pasur ndonjë përplasje fizike mes tij dhe anëtarit të PSD-së, Nol Nushit.
Gashi ka thënë se gjithë debati me Nol Nushin në RTK është i incizuar.
“Pas debatit kemi vazhduar njëjtë debatin. Nuk ka pasur rrahje”, tha ai në Debat Plus, përcjell Telegrafi.
Gashi ka theksuar se Nushi e ka gjuajtur me shishe të ujit, por që nuk e konsideron sulm./Telegrafi