LAJMI I FUNDIT:

Gjilani për të katërtën ditë radhazi pa raste pozitive me coronavirus

Gjilani për të katërtën ditë radhazi pa raste pozitive me coronavirus

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismaijli, bashkë me kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi Emini, dhe drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemaili, takuan shefat e grupeve të Këshilltarëve Komunal të Komunës së Gjilanit, Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Shemsedin Ramushi (AKR), Xhevat Demiri (AAK), Ibish Ibishi (I pavarur) dhe Emrah Ismail (KDTP).

Nënkryetari Ismajli ka vlerësuar se ishte një takim miqësor e informues, duke falënderuar të gjitha subjektet politike për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Komitetit Emergjent të Gjilanit.

“Përpos informatave që ua dhamë, u dakorduam që të jemi bashkë deri në tejkalimin e kësaj situate të pandemisë Covid-19”, tha Ismajli.


Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, ka falënderuar Komitetin përkatës për koordinimin dhe informimin e mirë për ta preventuar situatën kundër Covid-19.

Ndërkohë, gjatë adresimit para mediave, shefat e grupeve politike të përfaqësuar në Kuvend, kanë shprehur falënderim dhe  përgëzim për Komitetin për menaxhimin e situatës së pandemisë dhe në menaxhimin e rasteve të familjeve në nevojë.

Ndryshe, tash e katër ditë nuk është asnjë rast pozitiv në Gjilan me virusin corona.