LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Studeniçanit refuzojnë të paguajnë gjelbërimin në Shkup

Banorët e Studeniçanit refuzojnë të paguajnë gjelbërimin në Shkup

Banorët e komunës së Studeniçanit refuzojnë të paguajnë një shumë të caktuar për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese në qytetin e Shkupit. Kjo shumë caktohet nga shuma e përgjithshme e faturave të reja për ujësjellës dhe kanalizim që tashmë disa muaj kanë filluar ti shpërndahen konsumatorëve.

Banorët, vlerësojnë se kjo është e padrejtë ndaj tyre sepse komuna e Studeniçanit është komunë rurale dhe jashtë qytetit të Shkupit.

Banorët ankohen se në këtë komunë për dy vjet radhazi nuk ka qenë asnjë inkasant. Madje, ata thonë se është ndërmarrja publike komunale ajo e cila kujdeset për çdo aktivitet pastrimi në fshatrat e Studeniçanit.


Nga Komuna e Studeniçanit thanë se tashmë disa herë i janë drejtuar institucioneve përkatëse për këtë problematikë.

@Komuna e Studeniçanit është komunë e pavarur, jashtë qytetit të Shkupit dhe nuk mund të faturohet për këtë lloj kompensim pasi këtë punë e kryen vet komuna e Studeniçanit nëpërmjet Ndërmarrjes publike komunale Studeniçani”, tha Burhanedin Nuhiju, sekretar i komunës Studeniçanit.

Nga “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” thonë se të gjithë shfrytëzuesit e sistemit të ujësjellësit të kyçur në NP. Ujësjellës dhe kanalizim-Shkup do të pranojnë fatura me përfshirjen e vendimeve të marra nga Këshilli i Qytetit të Shkupit dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë. Nga NP Ujësjellës dhe kanalizim-Shkup thonë se nuk kanë kompetenca për të ndërhyrë në dispozitat për tarifat ndaj shfrytëzuesve.

Alsat mëson se megjithatë institucionet kompetente do të shqyrtojnë kërkesën e banorëve të Studenicanit por edhe e komunave tjera që nuk janë pjesë e Shkupit, por që paguajnë fatura për mirëmbajtjen e hapësirave jashtë komunave të tyre./Alsat/