LAJMI I FUNDIT:

Kurti falënderon vullnetarët që po ndihmojnë në luftimin e COVID-19 dhe krizave të shkaktuara nga kjo pandemi

Kurti falënderon vullnetarët që po ndihmojnë në luftimin e COVID-19 dhe krizave të shkaktuara nga kjo pandemi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka falënderuar të gjithë ata vullnetarë të cilët po ndihmojnë në këtë kohë pandemie.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se pas kalimit të kësaj krize do të kujtojmë të rinjtë në Kosovë dhe botë që na ndihmuan të shndërrojmë shqetësimin në shpresë, vetminë në kreativitet, dhe, frikën në fuqi.

Postimi i plotë:


Në mes të stresit dhe pasigurisë që po shkakton pandemia COVID-19, të rinjtë e Kosovës po gjenerojnë energji, empati, ide dhe zgjidhje karshi sfidave të shkaktuara nga Coronavirusi. Po, kemi nevojë për avancime shkencore, punë qeveritare dhe biznese të suksesshme. Por kemi nevojë edhe për ide që burojnë nga poshtë të na shtyejnë përpara. Kjo krizë do të kalojë, dhe mandej ne do të kujtojmë të rinjtë në Kosovë dhe botë që na ndihmuan të shndërrojmë shqetësimin në shpresë, vetminë në kreativitet, dhe, frikën në fuqi.

Dëshiroj të permend vetëm disa nga iniciativat që kanë nisur në kohën e karantimit, shumë prej tyre të mbështetura nga institucionet, ambasadat dhe organizatat në vend:

– Platformat për COVID-19 si www.kosova.health, www.rrinshpi.com, www.virusi.info, www.corona-ks.info, dhe www.stopcovid.live që çdo ditë informojnë qytetarët me të dhëna të sakta dhe udhëzime të ekspertëve.

– Platforma www.kerkondihme.com që po ndihmon familjet në nevojë duke bërë lidhjen midis donatorëve dhe nevojtarëve në vend.

– Grupet si BONEVET, FaceShieldMask, American Corner Prizren, dhe Graçanica Innovation Centre që po ju dhurojnë institucioneve të shëndetësisë qindra maska të prodhuara me teknologjinë e printimit 3D.

– Kompania ‘start-up’ FORMON që ka zhvilluar dhe po teston ventilatorët 3D për pacientët me COVID-19.

– Aktivistët e YMCA in Kosovo që po shpërndajnë batanije, laptopë, dhe rroba tek strehimoret e viktimave të dhunës.

– Qindra vullnetarë nga Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të angazhuar në qendra të ndryshme shëndetësore të vendit tonë.

– Platforma disponimi.com që po mat disponimin e qytetarëve në baza ditore në periudhën e karantinimit.

– Anëtarët e grupit të Facebook-ut ‘Vullnetaret / Volunteers #COVID-19’ që vazhdimisht po ju ndihmojnë familjeve në varfëri në këtë periudhë.

– Platforma edspot.org që po ofron kurse online pa pagesë të gjuhës shqipe dhe matematikës për nxënësit e shkollës së mesme të ulët.

– 70 ekipet garuese të Hack the Crisis Kosova që dizajnuan zgjidhje të shkëlqyeshme digjitale për problemet në lidhje me virusin Corona.

Ju lumtë të gjithë atyre që janë prapa këtyre iniciativave të mrekullueshme, si dhe grupeve tjera që s’janë përmendur këtu, për punën e palodhshme që po bëni në këtë periudhë të vështirë për të mirën e shëndetit publik./Telegrafi/