LAJMI I FUNDIT:

Edhe pse u është bërë thirrje të mbajnë distancën dhe të mos mblidhen mbi 4 persona, qytetarët e Hong Kongut ia mësyjnë plazheve

Edhe pse u është bërë thirrje të mbajnë distancën dhe të mos mblidhen mbi 4 persona, qytetarët e Hong Kongut ia mësyjnë plazheve

Banorët e Hong Kongut sot kanë vërshuar plazhet, tragetet dhe ishujt përreth, e shumica prej tyre kanë thyer rregullin e tubimeve publike që ndalon tubimin e mbi katër persona nëse kapen afër njëri-tjetrit. E tëra kjo po bëhet për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Qielli i kaltër ka nxitur qytetarët t’ia mësyjnë zonave të preferuara në mbarë Hong Kongun, vend ky me 7.4 milionë banorë. Shumica prej tyre nuk bartnin maska mbrojtëse, transmeton Telegrafi.


“Vazhdimisht jemi të mbyllur në shtëpi dhe jemi mërzitur me këtë. Kemi nevojë të dalim dhe të argëtohemi. Mendoj se nëse të gjithë respektojnë rregullat dhe kujdesen për sigurinë e vetes dhe të tjerëve, atëherë gjithçka është në rregull dhe nuk shoh ndonjë pengesë për të mos dalë jashtë”, ka thënë 24-vjeçari Bani Mak.

Hong Kongu tashmë ka regjistruar 1.000 raste me COVID-19, katër prej të cilave kanë përfunduar me vdekje. Si rezultat i kësaj, janë ndaluar tubimet publike prej më shumë se katër personave dhe atë në një afat prej 14 ditëve – do të thotë deri më 29 mars, por pasi që është rritur numri i të infektuarve me COVID-19, këto masa preventive më pas janë shtyrë deri më 23 prill.

Megjithatë patrulla të policisë janë parë në disa lokacione të njohura edhe pse nuk ka pasur raportime për të arrestuar, në qytetin ku aktivistët pro-demokracisë gjatë vitit të kaluar vazhdimisht janë konfrontuar me forcat e sigurisë.

Derisa Hong Kongu së bashku me Singaporin dhe Tajvanin, po konsiderohen si shembull në luftimin e pandemisë së COVID-19, mos respektimi i distancës sociale gjatë vikendit të kaluar kërcënon që gjitha përpjekjet e autoriteteve për luftimin e sëmundjes t’i çojë shkojnë dëm. /Telegrafi/