LAJMI I FUNDIT:

MPPS e Maqedonisë: Kontaktet e fëmijëve me prindërit të ruhen në marrëveshje mes dy prindërve

MPPS e Maqedonisë: Kontaktet e fëmijëve me prindërit të ruhen në marrëveshje mes dy prindërve

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), në lidhje me mënyrën e mbajtjes së kontakteve të fëmijëve me prindërit me të cilët jetojnë, në kushte të pandemisë nga virusi korona, përkujton se sipas Ligjit për familje, të drejtën e prindërimit e kryejnë prindërit bashkë, në përputhje me nevojat dhe interesat e fëmijës dhe interesave të bashkësisë shoqërore, informojnë nga MPPS-ja.

“Në kushte të pandemisë nga virusi korona, kur është vënë në pikëpyetje shëndeti dhe jeta e njerëzve, prindërit kanë për obligim të kujdesen për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve sipas rekomandimeve të Qeverisë për veprim në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosjes së orës policore. Në këto kushte nevojitet që prindërit të merren vesh për mënyrën e mbajtjes së kontakteve të fëmijës me prindin me të cilin nuk jetojnë, ndërsa gjatë kësaj fëmijët të mos ekspozohen në rreziqe të cilat me vete i bart kjo pandemi”, bënë të ditur nga MPPS-ja.

Në këtë drejtim prej atje informojnë se qendrat për punë sociale si organe adekuate janë të hapura dhe janë në dispozicion të prindërve për sigurimin e mbështetjes së nevojshme profesionale dhe këshilluese gjatë marrjes vesh për mënyrën e mbajtjes së raporteve mes prindërve dhe fëmijëve.


Sipas Ligjit për familje dy prindërit janë të obliguar që me vetëdije dhe përgjegjësi t’i realizojnë të drejtat dhe obligimet prindërore dhe të kujdesen për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.