LAJMI I FUNDIT:

Oda Ekonomike e Maqedonisë: Kompanitë të ndihmojnë në luftën kundër coronavirusit sipas mundësive

Oda Ekonomike e Maqedonisë: Kompanitë të ndihmojnë në luftën kundër coronavirusit sipas mundësive

Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut apelon, jo vetëm te anëtarët e saj, por edhe te të gjitha kompanitë tjera, në suaza të mundësive të tyre t’i ndihmojnë bashkësisë më të gjerë që më lehtë dhe së bashku ta përballojë gjendjen e shkaktuar nga coronavirusi.

Me këtë rast, këshilltari kryesor i Bordit Drejtues të Odës për çështje ekonomike, Zoran Jovanovski, përmes një video-deklarate tha se deri tani kanë ndihmuar disa nga kompanitë më të mëdha.

“Kjo është një kohë kur të gjithë së bashku duhet të mbijetojmë. Megjithatë, secili e bën atë që mundet dhe ndihmon aq sa mundet. Nga fillimi i krizës së coronavirusit, shumë kompani e treguan kujdesin e tyre për bashkësinë më të gjërë”, thotë Jovanovski.


Ai tha se edhe personat që vijnë nga vendet e huaja dhe duhet të kalojnë një periudhë në karantinë, janë ofruar shumë kapacitete akomoduese nga hotelierë të ndryshëm.

Jovanovski shtoi se “EVN” dhe “ELEM” për 24 orë pas marrjes së kërkesës siguruan ndriçim në pikat siguruese Boshkov Most dhe Globoçica në rajonin e Dibrës. Operatorët celular “Telekomi i Maqedonisë” dhe “A1″ shfrytëzuesve të tyre u dhuruan internet falas në celular dhe u mundësuan ndjekje falas të TV kanaleve shtesë, për të kaluar më lehtë kohën në shtëpi./Telegrafi/