LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni: Në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, rritet rreziku për dhunë familjare

Maqedoni: Në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, rritet rreziku për dhunë familjare

Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare në Maqedoni, thekson se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë, rritet rreziku për dhunë në familje dhe dhunë ndaj grave.

Sipas tyre, për shumë gra që janë viktima të dhunës familjare dhe dhunës intime bashkëshortore, në këto momente shtëpia nuk është vend i sigurt për ata, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Me këto masa, gratë viktima të dhunës dhe fëmijët e tyre (nëse kanë) vendosen në një situatë shumë të vështirë dhe në disa raste kërcënuese për jetën. Në gjendje të jashtëzakonshme, fëmijët janë në shtëpi gjatë gjithë ditës, të gjitha kafenetë, restorantet, baret janë të mbyllura, bastet sportive janë të mbyllura, si dhe të gjitha mundësitë e tjera për aktivitete sociale, miqtë janë në shtëpi me familjet e tyre, të gjitha vendet ku agresioni mund të kanalizohet dhe e vetmja gjë që mbetet në dispozicion është familja, bashkëshortja/partnerja, fëmijët, apo prindërit”, thonë nga Rrjeti.


Ata theksojnë se gjendja e jashtëzakonshme, e rëndon qasjen e viktimave në shërbimet për ndihmë dhe mbrojtje.

“Institucionet shëndetësore po mundohen t’i përgjigjen coronavirusit, sistemet shëndetësore janë të mbingarkuara, qendrat e punës sociale po punojnë me telefonuesit, të cilat në përgjithësi ua vështirësojnë viktimat qasjen në mbrojtje. Ne i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse – Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pavarësisht situatës aktuale, të veprojnë profesionalisht në raportimin e dhunës dhe të ndërmarrin të gjitha masat në dispozicion të tyre për të mbrojtur viktimat dhe fëmijët e tyre (nëse kanë)”, thonë nga Rrjeti.

Ata i inkurajojnë të gjitha gratë që përjetojnë ndonjë formë të dhunës familjare, ta raportojnë tek institucionet shtetërore./Telegrafi/