LAJMI I FUNDIT:

Moti i keq, anulohen lundrimet e trageteve nga Durrësi në Bari

Moti i keq, anulohen lundrimet e trageteve nga Durrësi në Bari

Autoriteti Portual Durrës njofton pezullimin e përkohshëm të lundrimit të trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit, për shkak të mbylljes së këtij të fundit, si pasojë e motit të keq.

Dy tragetet e parashikuara për t’u nisur mbrëmjen e sotme e kanë anuluar lundrimin, ndërsa trageti i linjës Durrës-Ankona ka lënë portin rreth orës 17.00, pasi situata në portin e vendit fqinjë paraqitet më e normalizuar.

“Si pasojë e mbylljes së përkohshme të Portit të Barit, për shkak të situatës së motit, ju bëjmë me dije se tragetet e parashikuara për t’u nisur mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit, pezullojnë përkohësisht lundrimin drejt këtij Porti. Trageti “Bari”, i linjës Durrës-Bari dhe trageti “AF Marina”, i linjës Durrës-Bari, parashikuar për t’u nisur nga Porti i Durrësit rreth orës 23:00 të mbrëmjes së sotme, kanë anuluar lundrimin, si pasojë e situatës së motit.


Agjencitë lundrimore kanë bërë njoftimin e të gjithë pasagjerëve për këto ndryshime, deri në një njoftim të dytë për rikthimin në normalitet. Ndërkohë, trageti i linjës Durrës-Ankona është nisur pa problem drejt destinacionit, sot në orën 17:00, pasi situata në këtë port paraqitet më e qetë. Porti i Durrësit kërkon mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve, për vonesat e krijuara, duke siguruar se gjithçka është në funksion të sigurisë së tyre të udhëtimit./lapsi.al/