LAJMI I FUNDIT:

Kosova finalizon projektin për energji të ripërtëritshme, investime 170 milionë euro

Kosova finalizon projektin për energji të ripërtëritshme, investime 170 milionë euro

Kosova ka finalizuar procedurat për projektin e parkut të Erës në Bajgorë ku parashihen investime prej 170 milionë eurosh në energjinë e ripërtëritshme.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj bashkë ambasadorin gjerman Christian Heldt në një konferencë për media njoftuan se dje është nënshkruar marrëveshja financiare me BERZH-in siç u cilësua për njërin ndër projektet më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në vend.

Shefi i qeverisë në detyrë tha se ky projekt gjeti mbështetjen e disa prej bankave prestigjioze botërore, derisa theksoi se në rajonin e Bajgorës do të vendosen 27 turbina për të prodhuar energji elektrike pa dëme mjedisore.


“Kjo energji elektrike është shumë e nevojshme për vendin tonë dhe përveç tjerash me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtëritshme të erës, se sa që jemi zotuar. Projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021. E veçanta e projektit është se ka bashkuar 7 shtete të ndryshme. Kosovën, Gjermanin. SHBA, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori gjerman Christian Heldt tha se ky projekt tregon se në Kosovë mund të ketë investime të huaja atëherë kur ka bashkëpunim dhe partneritet të duhur.

Diplomati gjerman tregoi edhe rëndësinë e këtij projekti, sipas tij energjia e ripërtërishtshme shpie drejt një të ardhme kur Kosova do të marrë më shumë autonomi të energjisë së pastër.

“Ky është projekti i parë i tillë nën kornizën ligjore për investime strategjike. Unë si ambasador gjerman jam krenar se një projekt i tillë në energjinë e ripërtritshme mund të bëhet brenda kësaj kornize. Ka pas shumë sfida, ky është momenti që të falënderojmë të gjithë palët e interesit nga ana e biznesit. Por gjithashtu edhe administratën kosovare, qeverinë, agjencinë që kanë pas rol të rëndësishme që të ndodhë ky projekt…me nënshkrimin e BERZH brenda kornizës së 58 milionë euro që nuk është asgjë, por tregon një partneritet. Një besim që e ka tërhequr kapitalin privat nga Austria, Sllovenia. Një besim që është treguar nga siguria e eksportimit. Besimi për ofrimin e prodhuesit madhor të energjisë me erë”, tha ai./kp/