LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Drejtësisë me databazë për rastet e dhunës në familje

Ministria e Drejtësisë me databazë për rastet e dhunës në familje

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se të gjithë duhet të angazhohen që të parandalohet dhuna në familje.

Sipas njoftimit për media, Tahiri tha se data baza e cila merret me të dhënat e rasteve të dhunës në familje shënon një ndër të arriturat e prekshme, që do të jetë në funksion afatgjatë për zbatuesit e ligjit, mbështetjes psiko-sociale dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ai ka thënë se parametrat e kësaj data baze e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë përbejnë ftesë për veprim të menjëhershëm, për parandalim të dhunës, për trajtim adekuat psiko-social e ligjor të viktimave të dhunës në familje, dhe mbi të gjitha, për sensibilizim kombëtar kundër kësaj dukurie.


“Është obligim i pashmangshëm i secilit, qoftë si bartës të pushtetit dhe funksioneve institucionale, qoftë si qytetarë të këtij vendi, që të angazhohen që dhuna në familje të mos cenojë integritetin e gruas, fëmijëve dhe viktimave të ndjeshme”, tha ai.

Ndër të tjera Tahiri ka thënë se kjo data bazë nuk ka qëllim primar grumbullimin e të dhënave sa për t’i evidentuar ato, por edhe analizën shkak-pasojë në mes tyre, analizën e rasteve të dhunës në familje, rrjedhimisht siç potencoi Tahiri ndërtimin e një perspektive më efektive që i përgjigjet problemeve reale.

Sipas tij, janë tri komponentë që e bëjnë të mundur dhe që është punuar për trajtimin dhe parandalimin e dhunës në familje duke filluar në rrafshin e drejtësisë penal ku sipas tij dhuna në familje është sanksionuar për herë të parë si vepër penale në kuadër të Kodit të ri Penal.

“Së dyti, në rrafshin e pozitës juridike të gruas, janë bërë përparime të rëndësishme në të drejtat pronësore, për t’i dhënë fuqi ekonomike dhe pavarësi financiare dhe së treti, në rrafshin e mobilitetit ndër institucional për të trajtuar çdo dimension të parandalimit dhe trajtimit të viktimave të dhunës në familje, komponentë që po plotësohet më vënien në funksion të kësaj data baze”, deklaroi ai. /Telegrafi/