Aktorin shqiptarë të filmit, me famë botërore, jo që po e shpërfillin institucionet qendrore e lokale të pushtetit në Kosovë, por ka disa organizata e individ që edhe po e keqpërdorin emrin e tij për përfitime materiale
Nga: Fahri Musliu
Edhe pse më herët kam shkruar me fakte konkrete për injorimin e aktorit më të madh shqiptar të filmit në shekullin e kaluar, nga pushtetarët e Kosovës të nivelit qendror dhe lokal, shkak i këtij shkrimi është emisioni Rubikon i datës 18 tetor 2019, ku u fol mbi bashkëpunimin kulturor midis Kosovës e Serbisë, e ku u përmend Bekim Fehmiu – dhe Festivali “Mirëdita-Dobar Dan”, edicioni i të cilit po mbahet në Kosovë me “javën e filmave të Bekim Fehmitu”, gjatë së cilës do të shfaqen tetë filma në KTV çdo të diele, duke filluar nga data 20 tetor – meqë u thanë shumë të pavërteta.
Prapë për mospërfilljen e pushteteve
Mospërfillja e Bekimit nga institucionet shtetërore të Kosovës ka nisur menjëherë pas vdekjes së tij, në formën më morbide, kur kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi, refuzoi propozimin e Esat Brajshorit që në mbledhjen e 17 qershorit 2010, Kuvendi ta nderojë Bekimin me një minutë heshtje, gjë që u prit me pakënaqësi të mëdha në opinion.
Pasuan shpërfilljet e nismave të ndryshme që kanë të bejnë me jetën dhe veprën e Bekimit, pas vdekjes, duke nisur që nga përgatitja dhe botimi i monografisë, më 2012, e cila pas pesë vitesh pune intensive, u botua më 2015, në plan të parë fal ndihmës së pronarit të kompanisë “Ecologu”, Lazim Destani, dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.
Nga institucionet qendrore hasi në vesh të shurdhër projekti për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Bekimit në Prizren, më 2016, me karakter kulturor, politik e diplomatik.
Më 2017, MRKS e shpërfilli financimin e projektit për hapjen e ekspozitës shëtitëse nëpër qendra të Kosovës, me posterët dhe fotografitë e filmave të Bekimit.
MKRS, më 2011, në shenjë të kujtimit të Bekimit, inauguroi Çmimin për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, për të cilin nxori edhe ligjin, por i njëjti fatkeqësisht nuk po respektohet, sepse ai nuk po u dorëzohet laureatëve më 1 qershor, në ditëlindjen e Bekimit, siç e parasheh ligji, por sipas tekeve, e madje ndodhi që për vitin 2018 të mos ndahet. Kurse, më 2018, MPJ e Kosovës e shpërfilli kërkesën për botimin anglisht të monografisë “Bekim Fehmiu – Odise i Kosovës”.
Rasti i fundit ndodhi në korrik të këtij viti, kur Komisioni i Konkurseve i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), e refuzoi projektin mbi filmin dokumentar të metrazhit të gjatë “Bekim Fehmiu”, me regjisor Valmir Tërtini, skenarist Fahri Musliu e producent Valon Jakupi, duke miratuar tri projekte ndërkombëtare. Shtrohet pyetja pse ndodhi kjo: ose anëtarët e komisionit, para të cilëve e arsyetova skenarin, nuk i kanë të njohura vlerat e Bekimit me përmasa ndërkombëtare, ose nga projektet e huaja kanë marrë përqindjen përkatëse ryshfeti, që është bërë praktikë edhe në projektet kulturore. Por, përgjigje pse nuk ka kaluar projekti ynë, i cili do të realizohej në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të vdekjes së Bekimit, në qershor të vitit 2020, nuk kemi marrë.
Bekimi iu kthye Prizrenit, por Prizreni nuk po e respekton
Njëjtë si pushteti qendror, ndaj Bekimit po sillet edhe pushteti lokal i Prizrenit edhe komuniteti artistik. Më 2012 u shpërfill iniciativa që shtëpia ku ka jetuar familja e Fehmiu në Prizren (1941-1950) të shndërrohet në Muze të Bekimit, apo të ngritjes së një përmendoreje. Kjo Komunë ende nuk e ka parë të arsyeshme që një rrugë ta emërtojë me emrin e tij, apo ta shpallë Bekimin “Qytetar nderi” (siç bëri Shkodra më 2015), ose “Nderi i qytetit” që e meriton, ndonëse mirënjohje të tillë kanë marrë personalitete pa ndonjë meritë përkatëse. Komuna thjeshtë e shpërfilli edhe kërkesën për sigurimin e një hapësire në qendër të qytetit (Art galeri) për ekspozitë të përhershme të posterëve dhe fotografive të Bekimit, librave, filmave , shkrimeve, por edhe të shërbente si kënd ku do të bëheshin takime të njerëzve të kulturës. Lokali përkatës ishte nxjerrë në konkurs dhe nda dikujt për veprimtari hoteliere, me gjasë?
Zyrtarët e Prizrenit nuk po e kuptojnë se Bekimi është kapital i madh të cilin nuk po shfrytëzohet, veçmas për zhvillimin e turizmit kulturor dhe reklamimin e qytetit meqë Bekimi i ka shkruar Odë qytetit në librin e tij “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” si askush deri më tash.
Bekimin po e shpërfill edhe Teatri i Prizrenit, me një trup të mrekullueshme profesionale, i cili e mban emrin e tij, sepse deri më tash drejtuesit e tij nuk e kanë ndërmarrë asnjë aktivitet, e as janë munduar ta shënojnë përvjetorin e lindjes apo të vdekjes….
Nuk mund të njihet Bekimi vetëm nëpërmjet filmave
Por, më e keqe dhe më mizore nga shpërfillja e Bekimit është keqpërdorimi i tij që po bëhet nga disa OJQ dhe individë në Kosovë në bashkëpunim me ato në Beograd, të cilët as që kanë njohuri për jetën e veprën e tij, e as që janë kompetentë. Është e fakt se askush nuk ka monopol mbi Bekimin, dhe secili mund të shkruajë, flas për të apo të organizojë ndonjë event, por duke u nisur nga respektimi i vlerave dhe profesionalizmi të cilave Bekimi ua ka kushtuar tërë qenien e vet, e jo të bëhen improvizime për përfitime materiale.
Për këtë flet festivali “Mirëdita, dobar dan” që organizohet nga viti 2014, alternativisht në Beograd dhe Prishtinë, e për të cilin në emisionin Rubikon folën Visare Aliu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe Kushtrim Koliqi drejtor i OJQ-së “Integra”, ku prezantuan edhe edicionin e titulluar “E diela me Bekim Fehmiun” në KTV, ku çdo të diele do të shfaqen tetë filma pa kurrfarë aktiviteti tjetër shoqërues.
Aliu tha se “shqiptarët duhet të informohen më shumë për aktivitetet e aktorit Bekim Fehmiu.” Kurse, Kushtrimi tha se me edicionin “E diela me Bekim Fehmiun synimi është që një audiencë më e gjerë të njihet me figurën e aktorit, pasi figura e vërtetë e Fehmiut më shumë njihet dhe vlerësohet në nivelin e artistëve në Serbi. Të gjithë ia njohin meritat Fehmiut në Kosovë, por askush nuk bashkëpunon për ta bërë më të njohur figurën e tij. Këto lloj aktivitetesh, si festivalet, si publikimet, raportet, janë mëse të nevojshme për të dy palët, duke filluar nga informimi jonë e duke u nis nga aktivitetet ‘E diela me Bekim Fehmiun’”…
Dorën në zemër u habita me këto deklarata të z. Koliqit dhe të Aliut për Bekim edhe festivalin “Mirëdita, dobar dan”, sepse ata jo vetëm që s’kanë njohuri për Bekimin (madje besoj se nuk e ka lexuar as autobiografinë e Bekimit e as monografinë time), por as nuk e dinë se me jetën dhe veprimtarinë e Bekimit po merrem intensivisht që nga vdekja më 2010 (mos ta përmendi shoqërimin me të mbi 30 vjet) për çka flasin faktet. Por, për Bekimin ka edhe shumë shkrime e botime të ndryshme.
Po ia rikujtoj z. Koliqi se përurimin e Festivalit “Mirëdita…” e kemi bërë në pranverën e vitit 2014 në Beograd, ku në konferencën për gazetarë ishin: Milenko Dereta, drejtor i OJQ-së “Gradjanske iniciative”, Llazar Stojanoiviq, regjisor dhe bashkëpunëtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, unë si gazetar dhe autor i monografisë në punim, Luan Shllaku dhe Jadranka Jeelinqiq nga Fondi për Shoqëri të Hapur në Prishtinë dhe Beograd. Qysh atëherë u përcaktua që ky organizim të jetë ngjarje unike me idenë e prezantimit të skenës aktuale kulturore të Kosovës në Beograd dhe anasjelltas, me qëllim që takimet e përfaqësuesve të bashkësive kulturore e shoqërore serbe e shqiptare të iniciojnë këmbimin e ideve artistike dhe të krijojnë traditën e bashkëpunimit, dhe të bëhen ura të bashkëpunimit dhe të shtendosjes së raporteve midis këtyre dy bashkësive dhe dy shteteve. Atëherë u tha se frymëzimi duhet të jetë Bekim Fehmiu, i cili paraqet simbolin e unitetit.
Më vjen keq që me z. Koliqi duhet të mos pajtohem dhe të polemizoj në media, por kjo edhe për faktin se pikërisht para katër vitesh, gjithashtu pas “Javës së filmave të Bekimit”, në kuadër të festivalit, z. Koliqi jo që pranoi të debatojë për dështimin e shfaqjes së filmave të Bekimit në qytetet ku ishte e paraparë, sepse nuk kishte asnjë vizitor – siç ishte rasti me Prizrenin, dhe kjo për shkak të mungesës së informatave për opinionin – por ai ma mbylli telefonin duke më thënë “nuk kam kohë tani, bisedojmë një herë tjetër”. E, kjo nuk ndodhi kurrë.
Kurse, në tetor të vitit 2015, me z. Koliqi u patëm marrë vesh që në hapje të festivalit “Mirëdita…” të bëhet edhe promovimi i monografisë “Bekim Fehmiu – Odiesu i Kosovës”, por dy ditë para promovimit më njoftoi se e ka pezulluar promovimin, pa ndonjë shpjegim të argumentuar. Madje, në mbrëmjen e hapjes së Festivalit në Kinemanë ABC, nuk i lejoi bashkëpunëtorët e mi t’i ekspozojnë ekzemplarët e monografisë “Bekim Fehmiu…”!
Koliqi në “Rubikon” i fajëson kosovarët/shqiptarët pse s’kanë njohuri për Bekimin, ama nuk thotë se fajtor kryesor janë pushtetarët e nivelit qendror e lokal, bile edhe OJQ-të e kulturës dhe komuniteti artistik të cilët vazhdimisht e injorojnë Bekimin.
“Mirëdita…” të ndërpritet ose ndërrohet formati?
Sa i përket festivalit në fjalë, u kam thënë pjesëmarrësve të sivjetmë në Beograd, Enver Petrovcit, Shkëlzen Gashit, Imer Mushkolajt (më 2 qershor), se ai duhet të pushojë së funksionuari, sepse nuk përçon në Serbi atë që duhet, dhe çfarë ka qenë misioni i tij kur është themeluar më 2014. Nuk mundet festivali, që ka synim prezantimin e të arriturave në fushat e ndryshme kulturore të Kosovës para publikut të Beogradit, të mbahet në ambientet e një OJQ-je private, siç është “Qendra për Dekontaminim Kulturor”, e jo në objektet kulturore të qytetit, siç është Teatri Popullor, Qendra Kulturore e qytetit, Ateleu 212, apo gjetkë. Kështu del se të arriturat u prezantohen vetëm bashkëmendimtarëve ose grupeve të vogla, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe atyre që kanë qëndrim pozitiv ndaj shqiptarëve e Kosovës, e jo publikut të gjerë dhe atë nën tensione të larta për shkak të protestave të grupeve ekstremiste serbe dhe nën masa të rrepta të sigurisë policore, që nga hyrja në territorin e Serbisë e deri në dalje. Madje, edicionin e sivjetë në Beograd, këtë vit e kanë shpërfillur me të madhe edhe mediat kryesore elektronike e të shkruara të Serbisë, dhe opinioni është njoftuar kryesisht me protestat e ekstremistëve dhe me policinë.
Në anën tjetër, edicioni në Prishtinë, që mbahet në muajt e fundit të vitit, po reduktohet vetëm në “Javën e filmave të Bekimit”, edhe pse ky nuk është festival kushtuar Bekimit, as mision i festivalit, por i prezantimit të të arriturave kulturore të Serbisë. Organizatorët kanë harruar se Bekimi nuk e përfaqëson as kulturën serbe as popullin serb, që me anë të tij kjo kulturë t’i prezantohet publikut kosovar, dhe kjo është fyerje e Bekimit. Ai ka luajtur në filmat e produksionit serb dhe të ish-republikave tjera jugosllave, dhe të produksioneve tjera evropiane e amerikane dhe ata filma nuk e paraqesin kulturën e atyre vende, por merren me tematikë të caktuar .
Derisa në edicionet e viteve të mëparshme filmat janë organizuar të shfaqen nëpër kinematë e disa qyteteve, këtë vit kjo po bëhet nëpërmjet televizionit dhe po zgjat tetë javë (të diela). Në të gjitha këto edicionet shfaqet filmi kult “Mbledhësit e puplave”, por versioni i shiritit të vjetër, ndonëse para dy vitesh është bërë rikonstruktimi i këtij filmi në formatin 3D.
Shtrohet pyetja: sa mund të ndikojnë tek qytetarët e Kosovës shfaqja e këtyre filmave nëpër kinema apo në TV, për ta njohur jetën dhe veprimtarinë e Bekimit, meqë ata nuk e njohin Bekimin, kur dihet se filmat kryesisht shikohen për shkak të tematikës e jo të aktorit, sepse ata janë fiksion. Këtë të paktën duhet ta di regjisori Koliqi. Sa të rinj po i shikojnë ata filma, dhe a janë ata vërtetë filma të cilët e bënë të famshëm Bekimin? Dhe, nëse është bërë devijimi i festivalit për qëllime të caktuara e është shndërruar në “Javën e filmave të Bekimit”, pse atëherë nuk shfaqen filmat e njohur ndërkombëtarisht: “The Adventurers” (Aventurierët), “The Deserter” (Dezertori), “Permission to Kill” (Leja për të vrarë), “La voce” (filmi për jetën e familjes së Nënës Tereze) “Fëmija me emrin Jezus”, “Dispota a tutto“ (Të gatshëm për gjithçka), “Për gjithmonë Xhulia”…
E, veçmas pse jo seriali televiziv “Odiseu”, që ia hapi Bekimit rrugën drejtë majave të kinematografisë botërore, e që vitin e kaluar, më rastin e 50 vjetorit, u shpall në Itali si seriali më i mirë i të gjitha kohëve, dhe të cilin duhet ta shfaq mediumi publik RTK.
Bekimi është më i madhi nga të mëdhenjtë e kombit në suazat ndërkombëtare, dhe i njohur për qindra miliona njerëz në të gjitha kontinentet, duam apo jo ne ta pranojmë këtë. Për kultivimin, studimin dhe avancimin e figurës dhe të veprimtarisë filmike e të Bekimit mund të jepen ide, propozime, iniciative e projekte të ndryshme nga individë, grupe, OJQ të kulturës, por të gjitha ato duhet t’i mbështes pushteti qendror apo ai lokal, dhe të jenë në mbikëqyrjen e tij e të mos lejohet që emri dhe vepra e tij të keqpërdoret. Sepse, Bekimi është aset i rëndësishëm kombëtar me vlerë të veçantë të përmasave ndërkombëtare, çfarë nuk e ka arritur asnjë personalitet shqiptar gjatë shekullit të kaluar.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHistori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Komploti i Taksimit dhe Kosova si strumbullar i lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë
Fitorja e Trumpit do të ndryshojë Amerikën, por Evropa mund të ketë një tjetër të ardhme
Çfarë ndodhte në ditët e fundit të sundimit osman në Shqipëri?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A