LAJMI I FUNDIT:

Trajneri Denis Gafuri shpalos momente nga Konventa e dytë e Menaxherëve të Shitjes – “Suksesi është qëllimi yt”

Trajneri Denis Gafuri shpalos momente nga Konventa e dytë e Menaxherëve të Shitjes – “Suksesi është qëllimi yt”

Për herë të dytë radhazi në Kosovë, më 1 nëntor, është mbajtur Konventa për Menaxherët e Shitjes, me temën “Suksesi është qëllimi yt”, në të cilin kanë marrë pjesë folës të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.

Organizatori i kësaj ngjarje, Denis Gafuri, në një intervistë për emisionin ‘Përballje ditore’ me gazetarin Muhamet Hajrullahu për Telegrafin ka shpalosur disa prej aktiviteteve të kësaj Konvente, e cila sipas tij, çdo vit po masivizohet dhe po mirëpritet nga njerëzit që merren direk ose indirekt me shitje.


Trajneri i shitjes Denis Gafuri, i cili këtë ngjarje e ka organizuar së bashku me ekipin e tij konsulentë, ka thënë se vlerësimi i pjesëmarrësve dhe folësve ka qenë shumë i mirë për këtë konventë, ku sipas tij janë tejkaluar pritjet që kanë qenë nga ata.

“Madje, njëri nga folësit, që e kishim mysafirë në Zvicra, na tha se e kemi bërë një organizim shumë të mirë të ngjashëm me sistemin amerikan”, ka shtuar Gafuri.

Trajneri i shitjes Denis Gafuri në intervistë për Telegrafi.com

Sipas Gafurit, në Konventën e këtij viti kanë marrë pjesë mbi 500 mysafirë, numër ky që po tentohet të shtohet gjatë viteve në vazhdim.

“Unë kam pasur fat që me bashkëpunuar me kompani serioze, të cilat e dinë vlerën e shitjes dhe e dinë vlerën e resurseve humane në kompani. Nuk ia vlen të investohet në teknologji, objekte, por të anashkalohen investimet në njerëz”, tha Gafuri.

Ai ka shtuar se organizimi i këtij edicioni të Konventës ka qenë shumë sfidues për shkak të synimit që ia kanë vënë vetës që numri i mysafirëve të jetë 500, gjë e cila gjë e ka shtuar përgjegjësinë në raport me pjesëmarrësit, qofshin folësit apo ata që e kanë dëgjuar.

“Kemi oferta që organizime të tilla të bëjmë edhe në Shkup e Tiranë, që po tregon se kemi një vlerësim edhe nga njerëzit në këto vende. Ne duam ta shtojmë numrin e pjesëmarrësve në çdo edicion, por edhe ta bëjmë një ngjarje që ka karakter ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Trajneri Gafuri ka treguar se në këtë edicion ka pasur mysafirë të ndryshëm, sepse kanë ardhur nga bota jo vetëm e biznesit, por sipas tij, kanë qenë prezentë edhe mjekë, artistë, arkitektë, etj.

Ai ka folur edhe për temën që është trajtuar në Konventë, “Suksesi është qëllimi yt”, duke theksuar se njerëzit duhet nuk të kenë guxim dhe të avancohen dhe zhvillohen që t’i gjejnë shtigjet e suksesit. /Telegrafi/