LAJMI I FUNDIT:

Tsipras: Besueshmëria ndërkombëtare e BE-së varet nga nisja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

Tsipras: Besueshmëria ndërkombëtare e BE-së varet nga nisja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

“Çështja e besueshmërisë ndërkombëtare të BE-së është të vendosë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut”. Këtë ia ka thënë ish-kryeministri grek Alexis Tsipras, kryetarit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, në takimin e djeshëm në Bruksel.

“Alexis Tsipras e ka shtruar edhe çështjen e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se në pyetje është besueshmëria ndërkombëtare e BE-së. Sipas burimeve të SYRIZA, Juncker e ka falënderuar Tsiprasin për konstruktivitetin e tij dhe punën pozitive, duke i thënë se ka kontribuar për stabilitetin e Eurozonës dhe Ballkanit Perëndimor, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës”, njoftuan mediumet greke, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i SYRIZA-s Alexis Tsipras, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Marrëveshja e Prespës dhe perspektiva evropiane kanë qenë tema të takimit me kryetarin e Komisionit Evropian.


“Kemi folur për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, për rolin e BE-së në Ballkan dhe nevojën për të nisur negociatat”, ka shkruar Tsipras pas takimit me Juncker.

Ndryshe, pritet që sot dhe nesër liderët e vendeve të BE-së të vendosin nëse do të nisin ose jo negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë./Telegrafi/