LAJMI I FUNDIT:

Hodhi sprej në një klasë në Mitrovicë, lëndohen 11 nxënës – arrestohet i dyshuari

Hodhi sprej në një klasë në Mitrovicë, lëndohen 11 nxënës – arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme në Mitrovicë ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Zëdhënësi i drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicë ka thënë për Telegrafin se i dyshuari në klasën e mësimit kishte hedhur një sasi sprej ku si pasojë (11) njëmbëdhjetë nxënës të kësaj klase kanë kërkuar tretman mjekësor.


“Arrestimi i të dyshuarit të mitur, nxënës i një shkolle në Mitrovicë, është bërë nga ana e hetuesve policorë, mbi dyshimet e arsyeshme dhe provat e siguruara se sot rreth orës 09:30, derisa i dyshuari ndodhej në shkollë brenda në klasën e mësimit kishte hedhur një sasi sprej ku si pasojë (11) njëmbëdhjetë nxënës të kësaj klase kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Pas tretmanit të marrë në spital nxënësit janë liruar. Ndërsa në cilësi të provës materiale nga i dyshuari është sekuestruar spreji të cilin dyshohet se e ka përdorur”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas procedurave të nevojshme intervistuese, i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’. /Telegrafi/