LAJMI I FUNDIT:

“Skënderbeu dhe nudot” e Janaq Paços

“Skënderbeu dhe nudot” e Janaq Paços

Ndjeshmëria edhe plastika e veprave të Janaq Paços (1914-1991) kësaj here botohet në një album.

Jeta edhe krijimtaria artistike e skulptorit të njohur, që nga punët që ka realizuar në Akademinë e Arteve në Athinë e më pas në Tiranë, janë pjesë e këtij albumi që është botuar nga studiuesi i artit Ylli Drishti.

“Skulptori i Popullit”, i vlerësuar si një ndër themeluesit e skulpturës realiste shqiptare të shekullit të XX, sipas Drishtit, është një nga artistët që u ka dhënë jetë formave të ngrohta plastike, por edhe që është vlerësuar si skulptor monumental dhe portretist i veçantë, i cili në Shqipëri solli frymën e skulpturës klasike dhe moderne greke.


Disa nga veprat që kanë lënë gjurmë në artin pamor shqiptar, Paço i ka realizuar në vitet 1945-60. Ato janë figura kombëtare, si: Qemal Stafa, Avni Rustemi apo Hoxha Tahsimi, monumentet e të cilëve janë jetësuar edhe në hapësirat publike. Ndërsa, gjatë viteve 1948-1959 merret me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

“Pas realizmit të monumentit të Skënderbeut në Krujë, Paço mori pjesë edhe në realizimin e monumentit të Tiranës, së bashku me Andrea Manon dhe Odhise Paskalin”, kujton Drishti.

Përpos portreteve familjare, veprat për figura të njohura të artit apo edhe heronjtë shqiptarë, artisti ka realizuar gjatë jetës së tij edhe nudo të shumta (1966-1977), për të cilat studiuesi rrëfen edhe rrethanat politike gjatë regjimit komunist.

“Në këto vite fillon realizimin e nudove, që janë në dimensione natyrale edhe pak mbinatyrale, që janë të realizuara në allci. Pas Plenumit të Katërt, në vitin 1973 u ashpërsua lufta e klasave edhe nisi prirja kundër lëvizjeve borgjeze-revizioniste, prandaj Paço u detyrua që të thyente pjesën më të madhe të tyre. Ato që mbetën janë portretet me pak gjoks”, thotë Drishti.

Studiuesi Ylli Drishti sugjeron që ky vit jo vetëm të konsiderohet si “Viti i Paços”, por në nderim të tij të ndërtohet edhe një muze në Përmet, në vendin e tij të origjinës, sepse vetëm në këtë mënyrë 100 veprat që familja e tij zotëron apo edhe të tjera që gjenden në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, do të marrin jetë edhe për artdashësit vendas dhe të huaj. /Shqiptarja/