EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv në seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Ndërsa ritmi i shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, në përgjithësi mbetet i ngadaltë.
Kështu u tha me rastin e prezantimit të raportit të EULEX-it para përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit me gjetjet nga monitorimi i rasteve.
Zyra e informimit e EULEX-it përmes një komunikate për media ka bërë të ditur edhe mbarëvajtjen e takimit dhe ato që janë thënë aty.
Kështu, bëhet e ditur se gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij raporti, udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster ka thënë se EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv nëpër seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Duke komentuar rreth ritmit të shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, Van Eck Koster theksoi se ai “në përgjithësi mbetet i ngadaltë”.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, u.d. shefi i EULEX-it, Bernd Thran, ka thënë se monitorimi i thuktë i rasteve të përzgjedhura ka dëshmuar të jetë një mjet efektiv për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë vendase me legjislacionin e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.
“Puna e këtij Misioni në këtë fushë është e trefishtë: së pari, ne i identifikojmë trendet dhe dukuritë që ndikojnë në funksionimin e gjyqësorit; së dyti, ne japim rekomandime të cilat janë të përfshira në raport dhe së treti, aty ku është e mundur, hartojmë dhe zbatojmë projekte në bazë të zbrazëtirave të identifikuara për adresimin e këtyre gjetjeve. Një shembull për këtë është seminari i organizuar kohëve të fundit për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve specialë dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit”, ka thënë ai.
Sipas tij, është me rëndësi që EULEX-i vazhdon të punojë krah për krah me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit ngase kanë synimin e njëjtë: bërjen të qasshëm sistemin e drejtësisë për secilin dhe të besueshëm për qytetarët.
Të gjeturat e këtij raporti i ka vlerësuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, i cili ka theksuar rëndësinë e faktit se raporti po ashtu përfshinë rekomandime konkrete për mënyrën e trajtimit të sfidave që kanë mbetur.
“Ky është një raport i mirë. Sipas gjetjeve që janë përfshirë aty, shihet se ka progres”, ka thënë Çoçaj.
Njësia e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve e bën vlerësimin e funksionimit të gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërive procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë, rastet e profilit të lartë dhe rastet që më parë janë trajtuar nga EULEX-i. Ky Mision e monitoron tërë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivelin e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.
Ndërkaq raporti i prezantuar sot përfshinë një numër të rekomandimeve të drejtpërdrejta për avancimin e sistemit prokurorial të Kosovës./Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNdalohen dy rusë në Jarinjë
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?
“E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanvoviqit
Nëna dhe fëmijët u hodhën në lumin Buna, 9-vjeçarja përcillet sot për në banesën e fundit
Detaje të reja nga ngjarja tragjike në Shkodër
KFOR-i, EULEX-i dhe policia me ushtrim të përbashkët, Ultuas: Tregojmë gatishmërinë për të mbrojtur stabilitetin rajonal
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse
Ish-futbollisti që e la karrierën profesioniste për t'u bërë luftëtar në UFC tani po shpartallon kundërshtarët
VAR sinjalizoi për kartonin e kuq "më të keq në histori" në ligën e Francës, ndërsa tifozët thonë 'ne menduam se Liga Premier ishte keq'