LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzë ndaj Milaim Zekës e Shkumbin Demaliajt, akuzohen për kanosjen e prokurorëve

Aktakuzë ndaj Milaim Zekës e Shkumbin Demaliajt, akuzohen për kanosjen e prokurorëve

Ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demalijaj dhe Milaim Zeka, do të përballen edhe me një tjetër proces gjyqësor, pasi ndaj tyre janë ngritur aktakuza të reja.

Për deklaratën e tij se do ta ndjek privatisht ish-prokurorin special, Elez Blakaj, ndaj ish-deputetit të AAK-së, Shkumbin Demalijaj, është ngritur aktakuzë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për deklaratat e ngjashme ndaj një prokurori tjetër, edhe ndaj ish-deputetit Milaim Zeka, është ngritur aktakuzë për veprën penale të kanosjes.


Lajmin për ngritjen e këtyre aktakuzave e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas kësaj prokurorie, aktakuza ndaj Shkumbin Demalijajt, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes është ngritur më 1 gusht 2019, ndërsa ajo ndaj Zekajt, është ngritur më 22 korrik 2019.

Ndryshe, ngritjen e këtyre aktakuzave i ka paraprirë gjuha që të dy deputetët kanë përdorur ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj, si dhe ndaj prokurorit, Afrim Shefkiu.

Rasti i parë ka të bëjë me aktakuzën e ngritur në rastin e veteranëve të UÇK-së, e në të cilin rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet Shkumbin Demalijaj.

Kurse, rasti i dytë ka të bëjë me aktakuzën që prokurori Afrim Shefkiu ka ngritur ndaj ish-deputetit dhe ish-gazetarit Milaim Zeka, lidhur me dyshimet për mashtrim me viza gjermane.

Demalijaj dyshohet se në një emision në RTK, kishte thënë se “Unë do ta ndjek privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk i bënë asgjë”, ndërsa më 25 shtator 2018, në një intervistë në televizionin T7, kishte thënë se “jo unë nuk i bie pishman asnjëherë fjalët që i kam thënë, nëse shteti nuk merret me Blakaj, atëherë unë personalisht do të merrem me të”.

Këto deklarata të Demalijajt, ishin bërë pasi prokurori Blakaj kishte dorëzuar aktakuzën e rastit “Veteranët” dhe kishte dhënë dorëheqje, për shkak se siç kishte thënë ai, për kërcënimet e presionet, gjatë kohës sa po hetonte këtë rast, si nga brenda sistemit prokurorial, ashtu edhe jashtë tij.

Ndërsa, ish-deputeti Mialim Zeka, gjatë një emisioni televiziv, më 24 shtator 2018, dyshohej se kishte kanosur prokurorin special, Afrim Shefkiu, i cili kishte ngritur aktakuzë ndaj tij në rastin e njohur si “Vizat”.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, kishte deklaruar ish-deputeti Zeka në emisionin “Dpd te Fidani”, më 24 shtator 2018.

Ndryshe, në rastin e njohur si “Veteranët”, bashkë me Demalijajn, nën akuzën për “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, po akuzohen edhe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në rastin e njohur si “Vizat”, përpos deputetit Zeka, me të për akuza për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, po akuzohen edhe Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla”, duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Në trend Lajme

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori