LAJMI I FUNDIT:

Kosnett viziton KQZ-në, ofron mbështetje për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme

Kosnett viziton KQZ-në, ofron mbështetje për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka vizituar sot KQZ.

Në njoftimin e bërë për media nga KQZ, thuhet se Kosnett u prit në takim nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka si dhe anëtarët e KQZ-së.

Kryetarja Daka i uroi mirëseardhje Kosnett për vizitën, të cilën e vlerësoi lartë në këtë fazë të rëndësishme të angazhimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Ndërsa, ambasadori Kosnett shprehu mbështetje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019, transmeton Telegrafi.

Kosnett, në mesazhin e tij vuri theksin në rolin thelbësor të KQZ-së për proceset demokratike në Republikën e Kosovës si dhe përgëzoi KQZ-në për punën e deritanishme, duke e inkurajuar për të vazhduar në këtë drejtim.

Ambasadori Konsett bashkëbisedoi me anëtarët e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor, të cilët falënderuan ambasadorin amerikan për vizitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe KQZ-në në veçanti.

Anëtarët e KQZ-së shprehën përkushtimin e përbashkët për të punuar në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./Telegrafi/