LAJMI I FUNDIT:

Pas Britanisë së Madhe, BREXIT godet turizmin në Spanjë

Pas Britanisë së Madhe, BREXIT godet turizmin në Spanjë

Birra nuk po rrjedh si dikur në pikat e nxehta turistike në Spanjë dhe BREXIT është ndoshta shkaku kryesor. Rënia e sterlines i ka bërë turistët britanikë edhe më të ndjeshëm ndaj çmimeve këtë sezon pushimesh, duke i shtyrë të zgjedhin destinacione më të lira si Turqia, Egjipti dhe Tunizia.

Më pak vizitorë britanikë do të thotë që edhe prodhuesit vendas ndikohen shumë, konkretisht ata të birrës, pasi turistët britanikë konsumojnë plot 25 për qind të birrës që prodhohet në Spanjë çdo vit.


“Rënia e sterlines ndikon në fuqinë e tyre shpenzuese në Spanjë. Kjo mund të përkeqësohet edhe më tej nëse ka një BREXIT pa marrëveshje”, tha Jacobo Olalla, kreu i Shoqatës Cerveceros de Espana, përcjell Telegrafi.

Turistët britanikë kanë një ndikim të madh në Spanjë. Vetëm gjatë vitit 2018, plot 18.5 milionë të tillë vizituan vendin duke kontribuar me një peshë shumë të rëndësishme në industrinë e turizmit, e cila përbën gati 12 për qind të ekonomisë së Spanjës.

Sterlina është ulur rreth 16 për qind kundrejt euros që nga votimi i BREXIT-it në vitin 2016 dhe arriti këtë muaj nivelin më të ulët në pothuajse një dekadë. Si rrjedhim, në qershor, numri i udhëtarëve britanikë në Spanjë ra 5.3 për qind nga një vit më parë, duke shënuar vetëm 2.1 milionë vizitorë, fillimi më i dobët i sezonit të verës në katër vjet.

Në përgjithësi, numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Spanjë është akoma në rritje, por ritmi është ngadalësuar nga normat dyshifrore që janë parë në 2016 dhe 2017. Në mënyrë të ngjashme, rritja e konsumit të birrës po humbet gjithashtu vrullin.

Olalla thotë se menaxherët e hoteleve dhe hoteleve e kanë paralajmëruar këtë ngadalësim, por nuk është i gjithë faji i Britanisë së Madhe dhe monedhës në rënie. Rënia e kompanive ajrore gjermane ka nënkuptuar më pak fluturime në dispozicion.

Spanja po përballet gjithashtu me konkurrencë më të lirë nga vendet e Mesdheut. Turistët britanikë që udhëtojnë jashtë çdo verë, zakonisht kërkojnë vendpushime që mund të rezervohen përmes një operatori turistik. Sipas këtyre të fundit, shumë prej tyre madje janë indiferentë ndaj vendndodhjes, mjafton që destinacioni të përmbushë dy faktorë kryesorë, çmimi dhe siguria.

Kështu çmimet në Spanjë, krahasuar me destinacione të tjera në Mesdhe janë shumë më të larta. Kostoja mesatare e një dhome në një hotel me tre yje në Costa del Sol të Spanjës është 87 euro për një natë, më shumë se dyfishi i çmimit në Antalia. /Telegrafi/