LAJMI I FUNDIT:

Prej nesër më pak kontroll në vendkalimin Tabanoc

Prej nesër më pak kontroll në vendkalimin Tabanoc

Prej nesër në vendkalimin kufitar në Tabanoc do të ketë menaxhim të përbashkët të kufirit me Serbinë që do të zvogëlojë kontrollet dhe do ta përshpejtojë lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave. Me këtë koncept, që për herë të parë Maqedonia e vendos me Serbinë, me një ndalesë në kufi pritet që të zvogëlohet dyfish koha e pritjes.

Fillimin e projektit ‘One stop shop’ do ta nisin kryeministri Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e cila fillon aktivitetet me vizitë zyrtare në shtet, njofton Telegrafi Maqedoni.

Koncepti i kufirit të përbashkët “One stop shop” ka procedura më të thjeshta, që zbatohen në një vendkalim të përbashkët, duke minimizuar numrin e ndalesave ndërsa kontrolli i udhëtarëve dhe mallrave bëhet në një vend.


Për udhëtarët dhe transportuesit që nga Serbia lëvizin drejt Maqedonisë, shërbimi kufitar serb do të kontrollojë në vendkalimin kufitar në Tabanoc, ndërsa kontrolli për ata që udhëtojnë nga Maqedonia drejt Serbisë, shërbimet e Maqedonisë kontrollin do ta kryejnë në vendkalimin kufitar në Preshevë.

Sipas autoriteteve, në ndryshimin e këtij koncepti është e rëndësishme shfrytëzimi i një objekti të përbashkët ku do të kryhen formalitetet kufitare. Krahas lëvizjes së shpejtë të udhëtarëve, mallrave, doganimi i përbashkët, do të mundësojë edhe harmonizim më të lartë të kontrolleve kufitare, si dhe do ta zvogëlojë mundësinë për mashtrime në dogana.

Kontrolli i përbashkët krahas vendkalimin kufitar në Tabanoc, po përgatitet edhe në vendkalimin kufitar hekurudhor në Tabanoc dhe në Qafëthanë drejt Shqipërisë./Telegrafi/