LAJMI I FUNDIT:

Mbi 17 milionë njerëz jetojnë në vetmi në Gjermani

Mbi 17 milionë njerëz jetojnë në vetmi në Gjermani
Foto: Ilustrim

Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se është rritur numri i qytetarëve që jetojnë vetëm.

Sipas Byrosë Federale të Statistikave, rreth 17.3 milionë njerëz jetojnë vetëm në vend, që do të thotë se vitin e kaluar në Gjermani çdo i pesti person jeton i vetëm.

Që nga ribashkimi i vendit në vitin 1991, numri i familjeve me një anëtar është rritur me 46 për qind. Në të njëjtën periudhë, numri i familjeve me tre ose më shumë persona, pavarësisht nëse bëhet fjalë për lidhje familjare ose partnerë, është zvogëluar me 20 për qind.


Ndër arsyet pse shkon gjithnjë në rritje numri i “të vetmuarve” janë të rinjtë që largohen shpejtë nga shtëpia e prindërve, martesa në një moshë më të vonshme apo fare si dhe shkurorëzimet e shumta.

Gjithashtu, një nga arsyet është problemi i plakjes, sepse në Gjermani ekziston një numër në rritje i të moshuarve që jetojnë vetëm.

Sipas të dhënave të portalit gjerman statistikor Statista, një nga arsyet është numri i konsiderueshëm i qytetarëve që nuk kanë partnerë.

Në vitin 2019, në Gjermani janë regjistruar 64.7 për qind e meshkujve të pamartuar nën 49 vjeç, ndërsa numri i grave në këtë grupmoshë ishte 35.3 për qind.

“Bëhet fjalë për njerëz që janë plotësisht të kënaqur me jetën e tyre dhe nuk duan të kenë një partner”, raporton Statista.

Megjithatë, sipas raportit të njëjtë, vetëm 14 për qind e meshkujve të vetmuar në Gjermani thanë se ndiheshin “shumë të vetmuar”. /Telegrafi/