LAJMI I FUNDIT:

Bukë e rrush e djathë: Prishtinë, Zhegër, Gjilan!

Bukë e rrush e djathë: Prishtinë, Zhegër, Gjilan!

Kur i ndërrojmë vendbanimet, ballafaqohemi me vështirësi dhe situata të papritura. Duhet të largohemi nga një vend apo rreth në të cilin jemi adaptuar dhe hyjmë në një tjetër të cilin nuk e dimë saktësisht se çfarë është dhe çka na pret në këtë fazë të jetës.

Kur e kam kryer shkollën fillore, jemi kthyer për të jetuar në Gjilan nga i cili qytet kishim shkuar në Prishtinë para disa viteve. Gjatë verës u përgatita për t’u regjistruar në gjimnaz, që ishte vendim i imi i kahershëm, pasi që dihej që unë do të shkoja në universitet.

Kur filloi mësimi në shtator, unë, pasi që i kisha kryer të gjitha procedurat e nevojshme të regjistrimit, shkova në një klasë që ishte më e mira, ku i njihja shumicën e nxënësve dhe ku mendoja se e kisha vendin. Në mesin e tyre unë do të gjeja stimulim për të garuar në mësime.


Pas disa ditësh, kur erdhi koha e regjistrimit në ditar, mua më doli një problem. Raci, profesor i edukatës fizike dhe kujdestari i klasës më njoftoi se unë nuk mund të regjistrohesha në këtë klasë e as në këtë shkollë për shkak se nuk isha banor i Gjilanit. Kështu ishin rregullat dhe unë u detyrova të shkoja në shtëpi ku i tregova babait tim për këtë problem. Të nesërmen shkuam te drejtori, i cili edhe një herë na i shpjegoi rregullat. Me insistimin e babait, drejtori bëri një kompromis. U morëm vesh që unë të filloja mësimin në Zhegër, ku gjimnazi i Gjilanit kishte paralele të ndara. Pastaj, kur do të kryhej gjysmëvjetori i parë, do të shkoja në Gjilan në ndonjë klasë të këtij gjimnazi që quhej “Zenel Hajdini”. Kjo ishte një e papritur e madhe për mua, por nuk mund ta refuzoja se nuk ekzistonte alternativa.

Rruga e shkollimit tim po merrte kahe të çuditshme. Shkollën fillore e kisha kryer në njërën ndër shkollat më të mira në Prishtinë dhe tashti, të mesmen, do ta vazhdoja në një fshat të humbur. Prishtina nuk ishte kushedi se çfarë qyteti, por vibronte nga një zhvillim kulturor dhe për Zhegrën ishte metropol. Rruga e shkollimit zakonisht shkon në të kundërtën – nga një vend i mirë në një më të mirë. Por, me mua gjithmonë ndodhin gjëra të çuditshme.

Shkuarja ime në Zhegër shkaktoi habi të madhe në mesin e nxënësve, profesorëve dhe banorëve të fshatit. Në këto paralele të ndara, zakonisht shkonin nxënësit e përjashtuar nga shkollat e qyteteve, për shkak të disiplinës, ose ata që nuk arrinin të regjistroheshin askund për shkak të notave të dobëta. Por, unë nuk isha i tillë. Megjithatë, u gjeta në mesin e katër apo pesë moshatarëve të cilët, në fakt, nuk ishin aspak të shkollës. Më shumë mund të përshkruheshin si të rinj të parehatuar në shoqëri, që kishin marrë rrugën e delikuencës apo që kishin hyrë në te. Me tipa të këtillë unë e fillova shkollën dhe udhëtonim bashkë me autobus.

Në fakt, mua nisi të më pëlqente shkolla dhe rrethi që krijova në Zhegër. U popullarizova shpejt pasi që isha shumë më i gjindshëm në të gjitha aspektet, nëse krahasohesha me rrethin e ri.

Kur pritoja në mbrëmje të kthehesha në shtëpi, rrija në Zhegër. Në Lagjen e Seferëve, ku jetonin pasardhësit e Idriz Seferit, shkoja për darkë dhe për të buajtur e ku trajtohesha si mysafir. Kjo familje e madhe e ruante një vijë patriotike dhe kanë qenë mjaft të emancipuar. Familja jonë kishte një lidhje të afërt me Seferët për shkak se gjyshja ime kishte dalë nga dera e tyre. Me fjalë tjera, unë nuk isha i panjohur e as i pakrahë në këtë vend.

Një ditë e zbulova një relacion tjetër për t’u kthyer në shtëpi. Duhej të ecja dy apo tri kilometra për të arritur në një fshat tjetër që quhet Llashticë, e nga aty e merrja autobusin e fundit për qytet. Këtë udhë e bëja me nxënësit e klasës sime që ishin nga ky fshat, dhe që i dinin disa fshehtësi të kësaj rruge. Para se të niseshim, blinim bukë. Nga shkolla tinëz kalonim afër stacionit të milicisë, dhe pas disa minutave gjendeshim para disa vreshtave të begatshme.

Në këtë kohë, mbrëmja e sillte flladin e vet dhe i kthente njerëzit nga fusha në shtëpi. Por, siguroheshim mirë që të mos na shihte kush para se hynim në vreshta për të zgjedhur kalaveshët e dëshirës. Mua më pëlqente një lloj rrushi i kuq me kokërr jo aq të madhe, por më i shijshëm se ai që quhej ‘Hafuz Ali’ dhe që njihej si më i miri. Pastaj e ndanim bukën dhe i ‘qeponim’. Në këtë kohë, kur na kaplonte uria, lezeti i bukës me rrush ka qenë i papërshkrueshëm. Asnjë ushqim tjetër nuk krijonte kënaqësi më të madhe.

Një ditë, njëri nga katër apo pesë vetave sa kishte grupi, kishte marrë djathë me vete. Ky kombinim, të cilin e vazhduam edhe herëve tjera, ishte maja e kulinarisë apo ‘pièce de résistance’ siç do të thoshin kuzhinierët francezë. Buka e nxehtë me rrush të ëmbël dhe djathë të njelmët krijon shije të veçantë. Koret e bukës lëshonin një kërcitje të këndshme kur shtypeshin nga dhëmbët. Lezeti shtohej kur pëlcitnin kokrrat e rrushit dhe e lironin lëngun e ëmbël që mbllaçitej me djathin. Për fytin dhe barkun nuk kishte tretman më të mirë.

Kur ngopeshim, shtriheshim në shpinë, librat i vinim nën kokë, ndiznim nga një cigare dhe e shikonim Diellin i cili e skuqte qiellin para se të perëndonte. Pastaj e vazhdonim rrugën duke e lënë Zhegrën pas shpine, ku shiheshin dritat e zbehta të shtëpive që ndizeshin për ta mundur terrin e natës. Para se të niseshim për shtëpi, e bënim edhe një punë tjetër: në shenjë ‘falënderimi’ i urinonim rrënjët e hardhive të cilave më parë ua kishim vjelë frytin. Gjatë këtij procesi, qeshnim me të madhe dhe mendonim se po ua thanim rrënjët. Këtë e bënim për shkak të patriotizmit, pasi që besonim se vreshtat ishin të serbëve. Në fakt, siç morëm vesh më vonë, vreshtat ku hanim ne ishin të shqiptarëve. Ndoshta ky nuk ishte veprim civilizues, por mua nuk më dukej të ishte problem kjo punë. Tekefundit, më duhej t’i përshtatesha rrethit dhe situatës.

Kjo ka qenë rutina e shkollimit tim në Zhegër. Një ditë, papritmas, vendosa që të mos shkoja më në shkollë. Më kaploi monotonia e cila e mposhti vullnetin që kisha në fillim. Zhegrës i mungonte elementi idilik që unë e kërkoja te fshati dhe nuk u krijua as efekti i ‘Afërditës në fshat’. Mësimi ishte më i ulët se ai që kisha marrë në shkollë fillore. Mysafir nuk shkohej shpesh se edhe mysafirllëku e ka një kufi. Një ditë i erdhi fundi edhe rrushit pasi që e volën fshatarët. Djali që e sillte djathin e braktisi shkollën dhe shkoi në Zvicër. Nuk kisha më asnjë arsye të shkoja në Zhegër.

Mora disa rroba rezervë dhe shkova në Prishtinë. Atje e kishim shtëpinë që ua kishim dhënë me qira dy familjeve dhe disa studentëve. Shkova të qëndroja me studentët të cilët nuk mund të më refuzonin. Ditët, sidomos mbrëmjet, i kaloja me shokët që i njihja nga shkolla fillore. Madje, e zgjerova shoqërinë, sidomos me disa shoqe. U lirova nga të gjitha obligimet e jetës që mund të kishte një 16-vjeçar. Erdha në përfundim që jeta kurrsesi nuk mund të ishte më e mirë. As që dëshiroja të dëgjoja për shkollën të cilën vendosa ta braktisja definitivisht. Një ditë e takova njërin nga arsimtarët e shkollës fillore i cili u interesua se ku gjendesha. Kur i thashë se isha në Zhegër, ai u befasua dhe më pyeti: ’E çka po bon atje?’ I tregova se ‘po ha bukë e rrush e djathë’. Ai qeshi dhe u largua duke menduar se ishte punë humori.

Babai im erdhi disa herë të më merrte e kthente në shkollë, por unë ose nuk qëlloja në shtëpi ose kur qëlloja ikja nga dritarja. Por, gjithçka ka fund. Një mëngjesi të hershëm babai më zuri në gjumë dhe u detyrova t’i zbatoj urdhrat e tij dhe t’i braktisja kënaqësitë e jetës që sapo i kisha filluar. Babai im kishte vendosur të zbatonte një lloj diplomacie për të më bindur që të kthehesha në shkollë. Me vete e kishte marrë një shok të tij, të cilit unë ia kisha hatrin dhe i cili, në formë këshilluese, më foli gjatë tërë rrugës që e bëmë me veturën e tij Volksvagen – të atyre që kanë qenë si breshka. I përmendi 100 arsye pse unë duhej të kthehesha në shkollë. Ai e ngiste veturën aq ngadalë, për të mos besuar. Kjo ishte arsyeja që e pyeta pse nuk po i jepte gaz pak ma shumë se po na kalonin edhe kamionët e autobusët. ‘Eh, ti nuk i di do punë’ – më tha dhe vazhdoi ‘ma mirë me shku 30 minuta ma vonë se 30 vjet ma herët’.

Sidoqoftë, gjatë rrugës arritëm një marrëveshje. Unë do të shkoja në shkollë, por jo në Zhegër. Të nesërmen ishte rregulluar puna me drejtorin e shkollës (gjimnazit) cili e kishte caktuar paralelen e cila kishte tri apo katër vajza dhe nja 30 djem. Shkova disa ditë, por kujdestari i kësaj klase që na jepte BAT nuk më regjistronte në ditar. Thoshte se asnjë urdhër me shkrim nuk e kishte nga drejtori për këtë punë. Si rezultat më tha që më të mos vija kot në shkollë dhe të mos më shihte më në klasë. Gjatë asaj vjeshte të gjithë faktorët ishin bërë bashkë që mua të ma gërditnin shkollën.

Megjithatë, unë vazhdova të shkoj, jo për dëshirë timen aq shumë sa për inati të këtij profesorit. Ai vinte dhe më nxirrte jashtë, kurse unë kthehesha në orën tjetër. Ai vinte sërish, e merrte një qëndrim triumfues, qeshte me cinizëm dhe me dorë ma bënte at shenjën që e shoqëronte me ‘ec te shpija’. Unë largohesha duke e shpotitur, të cilën gjë ai e përjetonte rëndë.

Kjo lojë përfundoi një ditë gjatë orës së Gjuhës Shqipe, të cilën na e mësonte një profesor pedant, shumë i mirë dhe i aftë, i cili quhej Isa Morina. Derisa ai po fliste për një temë, unë papritmas ndërhyra që të shtoja apo kundërshtoja diçka. Intervenimi im i bëri përshtypje dhe filluam diskutimin për temën e cila nuk më kujtohet se cila ka qenë. Ai u mahnitë nga ajo që dëgjoi nga unë dhe në fund kërkoi që të më notonte me notën më të lartë. U befasua kur i tregova se nuk isha i shënuar në ditar, sepse kujdestari i klasës refuzonte. Ai e solli kokën në shenjë habie, e hapi ditarin dhe me një stilolaps e shënoi emrin tim dhe notën 5.

Të nesërmen, kujdestari e kishte fshirë emrin tim duke u hidhëruar që dikush tjetër po i përzihej në ditarin për të cilin kujdesej. Mbeta përsëri jashtë. Kjo gjë ndryshoi sërish, kur një dita Isa Morina erdhi me hartimet tona në dorë. E kishte ndarë vetëm hartimin tim si të shkëlqyeshëm, të cilin e diskutoi dhe e propozoi për shembull që duhej ta ndiqte e tërë klasa. Dhe, profesori Isa Morina shkoi te ditari për ta shënuar edhe një 5 në rubrikën time. Kur e vërejti se emri im ishte fshirë, u nervozua dhe e mori një “fllamaster të kuq” me të cilin e shkroi emrin tim me shkronja të mëdha dhe pastaj mbi te vendosi ngjitësin me shirit të tejdukshëm të cilin ne atëherë e quanim “aero-sellotejp”. Më nuk kishte gjasa që emri im të fshihej nga ditari. Pas përfundimit të orës shkuam te drejtori të cilit ia shpjegoi rastin dhe i tha se isha nxënës tejet solid (ky ishte termi që e tha) dhe se hartimi im ishte më i miri që ai kishte lexuar gjatë përvojës së tij disavjeçare.

Kjo ka qenë një shtytje e madhe për mua. Isa Morina jo vetëm që më regjistroi në ditar, por edhe më frymëzoi të shkruaja. Kjo është dëshmi që një pedagog i vërtetë mund të bëjë punë shumë të mirë. Sikur të mos ishte Isa Morina, gjasat që unë të përfundoja pa shkollë kanë qenë të mëdha dhe unë me siguri sot do t’i kisha punët më mirë. Por, ju me siguri nuk do ta kishit lexuar këtë tregim.

Në trend Kultura

Më shumë
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare

Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare

Kulture
Afganistani

Afganistani

Kulture
TRËNDAFILAT E KALTËR

TRËNDAFILAT E KALTËR

Poezi
HISTORIA E NJENËS NGA ATO

HISTORIA E NJENËS NGA ATO

Fjala+
Udhëtim nëpër fjalorin e Kosovës

Udhëtim nëpër fjalorin e Kosovës

Analiza
Kalo në kategori