LAJMI I FUNDIT:

Tri kompani kosovare marrin pjesë në Konferencën e Dortmundit

Tri kompani kosovare marrin pjesë në Konferencën e Dortmundit

Sot, në Dortmund fillon Konferenca e 5. Purchasing Initiative Western Balkans /BME Einkaufsinitiative Westbalkan, që organizohet nga Asociacioni Federal për Menaxhimin e Zinxhirit të furnizimit, Blerje dhe Logjistikë (BME), Shoqata Ombrellë e Odave të Tregtisë dhe Industrisë Gjermane, në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Ekonomi dhe Energji dhe Odat Ekonomike të Jashtme Gjermane të Ballkanit Perëndimor.

“50 kompani gjermane do ta kenë mundësinë përmes takimeve B2B (biznes me biznes) me 130 kompani nga Ballkani Perëndimor të gjejnë furnitorë nga Kosova, Maqedonia Veriore, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi. Sipas organizatorëve, gjatë ditës do të zhvillohen 700 takime B2B”, thuhet në njoftimin për media.

Drejtoresha e OEGJK-së tregon se çdo vit numri i kompanive kosovare që kualifikohen për pjesëmarrje në Konferencën e BME-së për Ballkanin Perëndimor, po rritet.


“Duke qenë se përzgjedhja e kompanive pjesëmarrëse për takime B2B bëhet direkt nga blerësit industrial, dëshmon që kompanitë kosovare si CNC Noll, Mikroni ELD dhe Elsam, që janë sot në Dortmund, kanë prodhime të cilësisë së lartë dhe i plotësojnë standardet që kërkohen nga industria gjermane për t’u kualifikuar si furnitorë potencial”, thekson Nora Hasani.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Odën e Jashtme Gjermane të Maqedonisë Veriore dhe me përkrahje të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) përmes projektit Krijimi i Punësimit përmes Promovimit të Eksportit (CETEP), i përkrah këto tri kompani gjatë konferencës. Pjesë e delegacionit kosovar, përpos OEGJK-së është edhe organizata jonë partnere KIMERK (Klasteri i biznese të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme. /Telegrafi/