LAJMI I FUNDIT:

E përplas kamioni, digjet makina me pesë persona brenda në Turqi (Video)

E përplas kamioni, digjet makina me pesë persona brenda në Turqi (Video)

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në autostradën që lidh Stambollin me Edirnenë në Turqi, ku një automjet ka shpërthyer në flakë pas përplasjes, duke u marrë jetën pesë personave.

Sipas “DHA”, autovetura me pesë persona, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, po udhëtonte për në Edirne në ditën e dytë të Bajramit, kur është përplasur nga pas nga një kamion i drejtuar nga Mehmet V.


Si pasojë e përplasjes së fortë, makina me targa 67 AV 778 ka shpërthyer në flakë, përcjell tvklan.al.

Me gjithë ndërhyrjen e dëshmitarëve okularë për shuarjen e flakëve, ato u përhapën me shpejtësi dhe asnjë prej pesë personave në makinë nuk u arrit të shpëtohet.

Në vendngjarje mbërritën ambulancat dhe zjarrfikësit, të cilët shuan zjarrin dhe dërguan në morg trupat e pajetë.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimave të aksidentit dhe zbardhjen e shkaqeve të tij.

Festa e Bajramit, gjatë të cilës miliona qytetarë udhëtojnë për të vizituar familjet e tyre brenda Turqisë, sjell aksidente të rënda me pasojë vdekjen e dhjetëra personave.