Nga: Jacopo Zanchini
Përktheu: Boiken Sinaj
Më 24 mars 2019, në qytetin e Nishit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u prek deri në përlotje duke kujtuar bombardimet e NATO-s së dy dekadave më parë kundër vendit të tij. Ai ishte me një oficer të ushtrisë i cili kishte mbetur invalid gjatë atij konflikti.
Më 24 mars 1999 filloi bombardimi 78 ditori Aleancës së Atlantikut kundër Jugosllavisë, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Vendi, në të cilin kishin ngelur tashmë vetëm dy republikat e Serbisë dhe Malit të Zi, mbante ende emrin e shtetit që nga viti 1945 deri më vitin nëntëdhjetë kishte qenë republika e Titos. Federata ishte shpërbërë për shkak të përpjekjes së nacionalizmit serb për të imponuar hegjemoninë e tij përmbi republikat e tjera.
Presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, sot konsiderohet nga Evropa si një shtyllë për stabilitetin e vendit (pavarësisht nga protestat e shumta të qytetarëve të saj në muajt e fundit, të cilat e shohin atë si një udhëheqës autoritar), në mars të vitit 1999 ishte ministër ultranacionalist i informacionittë Millosheviqit.
“Sulm i keq, i tmerrshëm, subversiv dhe frikacak i ushtrisë së NATO-s kundër Serbisë dhe Jugosllavisë”, kështu shprehej Vuçiqi, (rreth të tridhjetëva në atë kohë), në fundmars të vitit 1999. Deklarata e tij do të vazhdonte: “Kjo është një dëshmi e politikave neonaziste të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të tyre. Serbia do të mbrohet kundër agresorëve dhe do të mposhtë armikun”.
Megjithatë, me rastin e përvjetorit të njëzetë të sulmit të NATO-s, përveç lotëve të Vuçiqit, pati edhe demonstrata “ndryshe” në Serbi. Të tilla qenë ato të disa dhjetëra aktivistëve serbë që dëshironin të sillnin vëmendjen edhe tek ato mijëra viktima civilë shqiptarë të Kosovës. Ata u mblodhën në qendër të kryeqytetit Beograd për të përkujtuar afro dhjetë mijë të rënët e konfliktit të Kosovës.
Bombardimi i NATO-s ndaj Jugosllavisë së vogël të Millosheviqit ishte vetëm konflikti i fundit në Ballkanin e viteve ‘90. Paçka se në mënyrë të butë, luftërat filluan qysh nga viti 1991 në Slloveni, për t’u shndërruar në një konflikt të përgjakshëm në Kroaci dhe sidomos në Bosnje Hercegovinë, ku lufta zgjati më shumë se tre vjet (nga 1992 deri në fund të 1995) dhe shkaktoi të paktën njëqind mijë të vdekur dhe dy milionë refugjatë. Si përfundim, konflikti mbërriti edhe në Kosovë në vitin 1998, ky qe dhe hapi që provokoi ndërhyrjen perëndimore në mars të vitit 1999.
Mirëpo, dekada e luftërave Jugosllave kishte filluar pikërisht në Kosovë. Po në atë krahinë jugore të Serbisë, të banuar kryesisht nga shqiptarët, filloi ngritja e burokratit komunist Sllobodan Millosheviq, i cili kishte nuhatur se mund të përdorte interpretimin e ëndrrave hegjemonike të komunitetit më të populluar të Jugosllavisë, serbëve, për të ndërtuar një karrierë politike të ngjizur me nacionalizëm. Në vitin 1989, gjatë celebrimeve të 600 vjetorit të mposhtjes së princit serb Lazar nga ana eturqve,Millosheviqi mbajti një fjalim në Fushë Kosovë përpara një milion serbëve të ardhur nga i gjithë vendi, ku paralajmëronte “betejë” dhe theksonte se betejat e reja tashmë ishin shpallur pikërisht në një periudhë ku tensionet midis serbëve dhe shqiptarëve të krahinës ishin në rritje të vazhdueshme. “Gjashtë shekuj më vonë, sot, ne jemi ende të përfshirë në beteja të reja. Ato ende nuk janë konflikte të armatosura, megjithëse këto gjëra nuk mund të përjashtohen akoma” thoshte Millosheviqi përpara një turme të ngazëllyer.
Por, pse filloi shpërbërja e Jugosllavisë në këtë krahinë?
Në Kosovë shqiptarët ishin rreth një milion e 600 mijë dhe serbët rreth dyqind mijë. Pas dekadash dominimi nga ana e serbëve në administratën publike, që nga viti 1968, presidenti Tito kishte vendosur të lehtësonte tensionin në krahinë dhe të garantojë një autonomi më të madhe në nivel kulturor, administrativ dhe gjuhësor. Procesi kishte çuar në kushtetutën e vitit 1974, e cila njohu, përveç gjashtë republikave të Jugosllavisë, dy provinca autonome brenda Serbisë: Kosovën dhe Vojvodinën. Por, ky lëshim i Titos kishte rritur druajtjen e serbëve, të cilët e ndjenin veten në pakicë në një provincë që ata cilësonin rrënjët e kulturës së tyre, madje në një plan simbolik ata e konsideronin “tokë të shenjtë dhe djepin e kombit të tyre” (siç shkruan Jozhe Pirjevec në Luftërat Jugosllave).
Por, kur Slobodan Millosheviq dhe lidershipi politik dhe ushtarak i Beogradit vendosën të përballen me tensionet e lindura pas vdekjes së Titos (në vitin 1980) mes republikave të Jugosllavisë dhe krizës së rëndë ekonomike që po kalonte vendi, ata u përpoqën të impononin fuqinë e Serbisë dhe të fuqizonin nacionalizmin (duke ju drejtuar serbëve që jetonin në Serbi dhe atyre në republikat dhe krahinat e tjera të Jugosllavisë, domethënë në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë). Simbolika e lypte që ata të fillonin nga provinca me shumicë shqiptare. “Kështu, që nga fillimi i viteve ‘80 u vu në lëvizje një mekanizëm i çmendur, në të cilin nacionalizmi agresiv serb ushqeu dëshirat e pavarësisë së kroatëve dhe sllovenëve, që nga ana tjetër rritën frikën e serbëve për të parë bashkëkombësit e tyre të shpërndarë në tri njësi shtetërore të pavarura”, shkruan Pirjevec.
Në mars të vitit 1989, autonomia e Kosovës e pranuar nga Tito, de facto u pezullua nga Millosheviqi (në shtator 1990 vendimi u formalizua). Qindra dekrete privuan shqiptarët e krahinës jo vetëm nga autonomia, por edhe nga shumica e të drejtave të tyre, duke filluar nga ajo e përdorimit të gjuhës amtare. Përndjekjet, arrestimet masive dhe tortura u bënë realitete të përditshme. Shumë kosovarë emigruan, ndërsa të tjerët u organizuan përreth një shkollë paralele e klandestine, si dhe ngritën një sistem arsimor në gjuhën e tyre duke nisur një rezistencë pasive dhe jo të dhunshme ndaj represionit të përçuar nga Beogradi. Qe strategjia e Millosheviqit për Kosovën që e bindi Slloveninë dhe Kroacinë të ndërmarrin rrugën drejt pavarësisë pasi nuk mund të dialogohej me udhëheqjen serbe. Në këtë klimë, Kosova qëndroi e pafuqishme karshi luftërave jugosllave, ndërsa Ibrahim Rugova ngrihej si një udhëheqës politik paqësor në Kosovë (grupi gueril i UÇK-së filloi aktivitetet e tij vetëm në vitin 1996, dhe akoma më vonë do të luante një rol të rëndësishëm në ngjarjet e luftës e NATO-s).
Kuptimi i rolit të Kosovës në fundin e dhunshëm të Jugosllavisë ndihmon gjithashtu për të kuptuar konfliktet e tjera të viteve 1990, përfundimin e tyre dhe gjithashtu disa nga arsyet e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare në atë luftë. Bombardimi 78 ditor i NATO-s në Jugosllavinë e Millosheviqit, duhet si rrjedhojë të përfshihet domosdosmërisht në këtë botëkuptim. Kjo ndërhyrje mund të konsiderohet legjitime ose e gabuar, kundërproduktive, madje kriminale, moralisht ose ligjërisht e pajustifikueshme ose e papërshtatshme ushtarakisht – zgjedhja e luftës ajrore përkeqësoi realisht situatën e civilëve në terren – por konteksti kurrsesi nuk duhet të harrohet.
Kjo nuk është ajo që ndodhi në Itali ku gazeta “Il Manifesto” ndërmjet suplementit special “Il cielo sopra Belgrado”, botuar në numrin e 22 marsit 2019, i përkushtoi tetë faqe përvjetorit të njëzetë të bombardimeve të NATO-s. Ndërkohë që në kryeqytetin e Serbisë përkujtoheshin viktimat civile serbe dhe shqiptare të represionit të Millosheviqit nga ana e aktivistëve paqedashës dhe demokratë serbë, në “Il Manifesto” nuk kishte asnjë gjurmë të këtyre viktimave. Gjithçka bëhet më e habitshme duke konsideruar faktin se sot kemi një numër të pafundmë dokumentesh mbi atë që ndodhi dhe dhjetëra gjykime në Gjykatën e Hagës që ndihmojnë në zhvillimin e një analize mbi zbardhjen e përgjegjësive individuale të drejtuesve politikë e ushtarakë të kohës.
Editoriali i Luciana Castellinës, në faqen e parë, titullohet “Frytet e helmuara të herës së parë” dhe bombardimet e NATO-s cilësoheshin si “lufta e parë e zhvilluar në tokën evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”. Deklarata është veçanërisht paradoksale, në rastin e Ballkanit, ku mund të sillet rasti i luftës në Kroaci i disa viteve më parë, me rrethimin dhe pushtimin e Vukovarit dhe luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, rrethimi i përgjakshëm i qyteteve si Sarajeva (e cila u godit edhe me bombardues të modifikuar për t’u ekzekutuar nga artileria), Tuzlla, Zhepa, Bihaqi me popullatën e rrënuar nga uria deri në shfarosjen, e njohur si akt gjenocidi, e mbi tetë mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë të paarmatosur që solli rënia e Srebrenicës.
“Është hera e parë që një zbatim selektiv i të drejtave është kryer me një pacipësi të tillë”, vazhdon Castellina, “në këtë rast ai i vetëvendosjes së popujve, i njohur në Evropë vetëm për kosovarët”. Edhe këtu, konteksti jugosllav dhe ndërkombëtar është anashkaluar plotësisht. Jugosllavia ishte një republikë federale e përbërë nga gjashtë republika, të cilat sipas kushtetutës së vitit 1974 kishin të drejtën e ndarjes dhe vetëvendosjes. Në të vërtetë Kosova nuk ishte republikë, por një provincë, por statusi i saj qe përcaktuar për arsye politike më shumë se juridike (shqiptarët e Kosovës u konsideroheshin “vëllezër” të atyre që ishin përtej kufijve, prandaj dyshoheshin e rrjedhimisht kufizoheshin në këtë formë). Kosovarët kishin kërkuar në mënyrë të përsëritur që të njiheshin si republikë, duke qenë më të shumtë se malazezët dhe pak a shumë sa sllovenët. Prandaj, është e qartë se çështja e Kosovës është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe bëhet edhe më shumë pas luftërave të tjera ballkanike dhe pas dhjetë viteve të aparteidit të dhunshëm të imponuar nga Millosheviqi.
Asnjë nga fuqitë e përfshira në konfliktin e vitit 1999 nuk do të pëlqente pavarësinë e Kosovës, as vendet evropiane e as Shtetet e Bashkuara. Ishte lufta dhe spastrimi etnik dhe masakrat e tmerrshme që ndodhën në Kosovë midis viteve 1998 dhe 1999, që i dhanë legjitimitet pavarësisë që askush, përveç nacionalistëve shqiptarë, nuk kërkoi si rezultat të konfliktit. Madje as marrëveshjet e Kumanovës të vitit 1999, të nënshkruara në fund të luftës së NATO-s kundër Jugosllavisë, nuk parashikonin pavarësinë e Kosovës. Por, kush mund t’i detyronte kosovarët të jetonin nën zgjedhën e Beogradit pas dhjetë vitesh aparteidi dhe shtypjeje, dhe një viti masakrash të tmerrshme dhe spastrimi etnik, kur ndërkohë të gjitha republikat jugosllave, duke përfshirë edhe të voglin Mal të Zi, u bënë të pavarur ose do të bëheshin shumë shpejt?
Nuk është rasti këtu për të rindërtuar historinë e këtyre viteve në detaje, por për të menduar për disa fakte themelore. Që nga krijimi i UÇK-së dhe nga momenti që anëtarët e saj kishin filluar të kryenin aksione guerile, kryesisht kundër forcave serbe të sigurisë – pa nisur akoma veprime represalie ndaj civilëve serbë dhe kolaboracionistëve të dyshuar – represioni i autoriteteve serbe në Kosovë u bë dukshëm më i dhunshëm dhe i pa dalluar mes civilëve dhe kryengritësve.
Castellina shkruan: “Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhën pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe jo më parë dhe për këtë arsye nuk mund të përdoren për të justifikuar ndërhyrjen”. Për të patur një ide mbi seriozitetin e krizës dhe metodat e forcave serbe të sigurisë një vit para ndërhyrjes së NATO-s, mjafton të lexohet ajo që shkruan Human Rights Watch për një episod të vetëm të vitit 1998 (për të dhënë një shembull) dhe më pas të ekzaminohet numri i refugjatëve dhe personave të shpërngulur në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.
“(…) Qeveria serbe nisi një sulm masiv në luginën qendrore të Drenicës, një fortesë e UÇK-së. Më 28 shkurt dhe 1 mars 1998, në përgjigje të pritave të UÇK-së, policia dhe forcat speciale sulmuan dy fshatra fqinje, Çirez dhe Likoshan. Më 5 mars, forcat speciale të policisë sulmuan fshatin e afërt të Prekazit, vendbanimin e Adem Jasharit, një anëtar i mirënjohur i UÇK-së. Jashari u vra me gjithë familjen e tij, nga ku mbijetoi vetëm një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare. Gjithsej, tetëdhjetë e tre vetë humbën jetën në tre sulme, duke përfshirë së paku njëzet e katër gra dhe fëmijë”. Vazhdon raporti i Human Rights Watch: “Abuzimet pas 20 marsit 1999 konsistuan në vazhdimin dhe intensifikimin e sulmeve ndaj civilëve, zhvendosjen dhe shkatërrimin e pronës civile të kryer nga forcat serbe dhe jugosllave të sigurisë në vitin 1998 dhe muajt e parë të1999…. Deri në mars të vitit 1999, kombinimi i luftimeve dhe sulmeve civile kishte lënë rreth 1,500-2,000 civilë dhe luftëtarë të rënë… Mijëra fshatra të banuara nga shqiptarët në Kosovë ishin shkatërruar pjesërisht ose plotësisht nga zjarri ose bombardimet”. Kjo ishte pra situata përpara sulmit të NATO-s. Përndjekja dhe eksodi i popullatës civile brenda Kosovës dhe drejt vendeve fqinjë nga java në javë mund të vëzhgohet me ndihmën e tabelave të kohës të UNHCR-së.
Data | Të shpërngulur në Serbi | Të shpërngulur në Kosovë | Të shpërngulur në Mal të ZI | Të shpërngulur në Maqedoni | Të shpërngulur në Shqipëri | Total |
17/03/1998 | 0 | 24.000 | 4.000 | 0 | 0 | 28.000 |
06/04/1998 | 0 | 17.533 | 2.500 | 0 | 0 | 20.033 |
02/05/1998 | 0 | 25.119 | 3.555 | 0 | 0 | 28.674 |
04/06/1998 | 0 | 45.000 | 4.000 | 200 | 6.500 | 55.700 |
02/07/1998 | 160 | 52.900 | 13.400 | 400 | 11.700 | 78.560 |
31/07/1998 | 20.000 | 100.000 | 26.000 | 600 | 13.000 | 159.600 |
31/08/1998 | 20.000 | 170.000 | 34.000 | 1.000 | 14.000 | 239.000 |
01/10/1998 | 20.000 | 200.000 | 41.800 | 1.000 | 18.000 | 280.800 |
28/10/1998 | 20.000 | 200.000 | 42.000 | 3.000 | 20.500 | 285.500 |
25/11/1998 | 20.000 | 175.000 | 30.000 | 3.000 | 20.000 | 248.000 |
22/12/1998 | 20.000 | 175.000 | 25.000 | 5.000 | 24.500 | 249.500 |
20/01/1999 | 20.000 | 190.000 | 25.000 | 3.000 | 22.000 | 260.000 |
16/02/1999 | 20.000 | 210.000 | 25.000 | 3.000 | 18.500 | 276.500 |
17/03/1999 | 30.000 | 240.000 | 25.000 | 9.400 | 18.500 | 322.900 |
24/03/1999 | 30.000 | 260.000 | 25.000 | 16.000 | 18.500 | 349.500 |
Burimi: Komisariati i Lartë për Refugjatët të OKB-së ICTY
Prandaj, duke analizuar të dhënat e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, është e justifikueshme të konfirmohet se ka pasur një emergjencë të rëndë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga një ofensivë e dhunshme dhe e gjithanshme e forcave serbe, si reagim I tepruar ndaj veprimeve guerile të UÇK-së. Kjo ofensivë vazhdoi dhe përkeqësohej gjatë gjithë vitit 1998, ndërkohë që shtoheshin paralajmërimet nga bashkësia ndërkombëtare kundrejt Millosheviqit dhe u tentua të shtoheshin negociatat për të ndalur një konflikt që rritej me intensitet çdo ditë e më shumë.
Tommaso Di Francesco shkruan në “Il Manifesto” se “deri më 24 mars ka pasur viktima dhe refugjatë nga njëra anë dhe nga ana tjetër”. Por, duhet konsideruar se në anën dhqiptare ka pasur rreth dy mijë të vdekur dhe se shumica dërrmuese e 349 500 refugjatëve dhe personave të zhvendosur të anketuar nga UNHCR në ditën kur filloi bombardimi ishin Shqiptarë. Po ashtu, emergjenca humanitare kërcënoi sigurinë dhe stabilitetin e vendeve fqinje (të Maqedonisë në veçanti, ku ka një minoritet të fortë shqiptar dhe në Shqipëri, të dy vende që për arsye politike, ekonomike dhe sociale nuk mund të përballonin një fluks kaq të madh refugjatësh).
Në përvjetorin e njëzetë të sulmit të NATO-s, gazetari serb boshnjak, Dinko Gruhonjiq, në gazetën serbe “Autonomija” kritikoi mënyrën në të cilën ngjarjet u kujtuan: “Askush [në Serbi] nuk përmendi shkaqet e bombardimeve, me përjashtim të një numri të paktë partish politike ndërkaq që OJQ-të qenë edhe më të rralla”. Mirëpo, 24 marsi i 1999 nuk shënoi veç fillimin e bombardimeve të NATO-s. Ajo datë përbën po ashtu ditën kur spastrimi etnik, i nisur tashmë nga shteti dhe i ekzekutuar nga ushtria dhe policia serbe të sprovuara nga përvojat e përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje, mori formën e veprimeve sistematike të dhunshme kundër Shqiptarëve të Kosovës. Dhe, natyrisht, bombardimet e NATO-s, shkaktuan si rrjedhojë një kthesë apokaliptike për situatën e kosovarëve.
Në vendimin e saj kryesor mbi Kosovën, që daton më 2009, Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës dënoi krerët politikë dhe ushtarakë të Serbisë të kohës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte me dënime burgimi shumë të ashpra. Pesë nga gjashtë të pandehur u dënuan për fushatën e terrorizmit dhe dhunës të drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës në fillim të vitit 1999. Gjykata ripërshkoi “deportimet, vrasjet dhe përndjekjet”, përdhunimet masive dhe shkatërrimin e qëllimshëm të vendeve të besimit fetar. Fushata u krye nga ushtria dhe forcat speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë. Bëhej fjalë për “veprime të qëllimshme që shkaktuan dëbimin e 700 000 shqiptarëve nga Kosova në periudhën afatshkurtër që shkon nga fundi i marsit deri në fillim të qershorit 1999”, tha gjykatësi Iain Bonomy gjatë seancës në përfundim të gjyqit të Hagës. Secili prej të akuzuarve është fajtor për pjesëmarrje në një vepër kriminale, “qëllimi i së cilës ishte të ndryshonte përbërjen etnike të Kosovës për të vazhduar kontrollin e nga ana e autoriteteve serbe”, thuhet në vendimin. Qëllimi ishte “të përdorej terrori për të nxitur një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të linin shtëpitë e tyre dhe të iknin përtej kufirit, për të lejuar autoritetet shtetërore të ushtronin kontroll mbi Kosovën”.
Për të pasur një ide se çfarë ishte dëbimi përmes terrorit mbi pothuajse gjysmën e popullsisë së Kosovës, mund të konsultohen të dhënat e UNHCR-së për popullatën e zhvendosur brenda krahinës dhe për pjesën që mbërriti në vendet fqinjë dita ditës, në ato muaj pranverë të njëzet viteve më parë.
Në të njëjtën periudhë vlerësohet se mbi njëqind mijë serbë të zhvendosur u larguan nga Kosova dhe në drejtim të Serbisë dhe Malit të Zi.
Data | Mal i Zi | Bosnje Hercegovine | Maqedoni | Shqipëri | Hep* | Total |
23 Mars | 25.000 | 10.000 | 16.000 | 18.500 | – | 69.500 |
30 Mars | 32.500 | 13.000 | 20.500 | 78.500 | – | 144.500 |
31 Mars | 35.000 | 14.000 | 28.000 | 103.500 | – | 180.500 |
05 Prill | 55.000 | 20.000 | 110.125 | 254.813 | – | 439.938 |
11 Prill | 64.000 | 26.000 | 116.875 | 301.688 | – | 508.563 |
14 Prill | 67.200 | 27.700 | 116.000 | 314.300 | 10.780 | 535.980 |
21 Prill | 70.000 | 32.300 | 130.000 | 357.000 | 16.911 | 606.211 |
28 Prill | 63.300 | 15.000 | 142.650 | 367.200 | 22.084 | 610.234 |
05 Prill | 61.700 | 17.600 | 211.340 | 404.200 | 28.654 | 723.494 |
12 Maj | 64.400 | 18.500 | 231.200 | 427.000 | 40.518 | 781.618 |
19 Maj | 64.000 | 20.000 | 226.800 | 433.300 | 52.643 | 796.743 |
26 Maj | 64.700 | 21.500 | 252.600 | 439.600 | 63.575 | 841.975 |
02 Qershor | 68.400 | 21.700 | 248.900 | 442.600 | 74.014 | 855.614 |
09 Qershor | 69.700 | 21.700 | 247.400 | 444.200 | 79.979 | 862.979 |
* Refugjatë të evakuuar përkohësisht në vendet e treta nga programi i evakuimit humanitar të OKB-së
urimi: Komisariati i Lartë për Refugjatët të OKB-së ICTY
Pavarësisht nga dëbimi dhe deportimi i të paktën 800 000 shqiptarëve të Kosovës, Luciana Castellina shkruan se “refugjatët serbë ishin shumica”, siç “pohoi madje edhe ministri i jashtëm Dini”.Tommaso di Francesco vazhdon: “Pra, me bastisjet ajrore, po përpiqesh të shpëtonin refugjatët shqiptarë?” Dhe më tej shton: “Refugjatët iknin jo vetëm nga frika e milicisë serbe, por (…) edhe për shkak se ata ishin të tmerruar nga bombardimet e NATO-s. Dhe kishin të drejtë, sepse qindra prej tyre u shkrumbuan në plotë kuptimin e fjalës nga raketat inteligjente”.
“Nuk është mirë të numërohen viktimat për të përcaktuar se kush ka pasur më shumë”, shton Luciana Castellina, “fundja sepse brutalitetet të pakuptimta u kryen nga të dyja palët”. Megjithatë sot kemi një listë të viktimave të asaj lufte, me emra dhe mbiemra. Bëhet fjalë për librin e kujtesës së Kosovës i krijuar nga qendra e drejtësisë humanitare e Beogradit dhe ajo e Prishtinës. “Kjo bazë të dhënash thotë se 8 661 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë ose u zhdukën, po ashtu 1 797 serbë dhe 447 romë, boshnjakë dhe joshqiptarë të tjerë” (nëse përfshihen edhe luftëtarët, lista përfshin 10 415 shqiptarë, 2 197 serbë dhe 528 romë , boshnjakë dhe joshqiptarë të tjerë).
Padyshim që edhe luftëtarët shqiptarë të UÇK-së kryenin vrasje të civilëve serbë (viktimat e këtyre krimeve para intervenimit të NATO-s llogariten në njëqind). Në vitin 2014, Qendra për të Drejtat Humanitare publikoi detaje mbi viktimat e bombardimeve të NATO-s: 754 të vdekur, nga të cilët 454 civilë dhe 300 anëtarë të forcave të armatosura. Ndër civilët, 207 ishin serbë dhe malazezë, 219 shqiptarë, 14 romë dhe 14 prej kombësive të tjera. Ndërsa, 260 vetë u vranë në Serbi, dhjetë në Mal të Zi dhe 484 në Kosovë.
Por, cilat ishin arsyet për këtë plan delirant të dëbimit masiv të popullatës shqiptare të Kosovës, përveç nacionalizmit të tmerrshëm, urrejtjes raciste dhe hakmarrjes ndaj atyre që “shkaktuan” sulmin nga bashkësia ndërkombëtare ndaj serbëve? “Një teori e besueshme është se Beogradi ka për qëllim të ndryshojë përgjithmonë përbërjen demografike të Kosovës duke dëbuar një përqindje të madhe të shqiptarëve, një strategji që jo pak herë u propozua nga e djathta serbe dhe gjithashtu nga zëvendëskryeministri serb i asaj kohe, njëherësh kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel”, shkruan Watch Rights Watch. “Ky shpjegim mbështetet nga rrëfimet e ndryshme të refugjatëve që vijnë në Shqipëri të cilëve u konfiskohen dhe asgjësohen dokumentet e identitetit, si dhe u hiqen targat nga makinat në kufi. Ky fenomen, i ashtuquajtur “spastrim i identitetit”, i dokumentuar nga organizata për të drejtat e njeriut dhe organizata të tjera që merrnin dëshmitë në Shqipëri, sugjeron fuqimisht një përpjekje nga Beogradi për t’i privuar shqiptarët e Kosovës nga shtetësia e tyre dhe për të penguar përpjekjet e më vonshme për t’u kthyer në shtëpi.
Përtej përkufizimeve të ftohta të gjykatës dhe shifrave të zhveshura, për të krijuar një ide se çfarë ka ndodhur në Kosovë pas 24 marsit 1999, mund të lexoni dëshminë e disa të mbijetuarve të masakrës së Pastasel, ku më 31 mars atë vit 109 kosovarë shqiptarë u shfarosën me gjakftohtësi nga ushtria dhe policia serbe, me ndihmën e paramilitarëve. Ky është një shembull, mes shumë krimeve të konstatuara, për të cilat në vitin 2009 u dënuan ushtarakët dhe udhëheqësit serbë Vlladimir Llazareviq, Vllastimir Gjorgjeviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Sreten Llukiq nga Gjykata Penale për ish-Jugosllavinë.
Jo vetëm kaq. Gjatë kësaj ofensive ushtarake, u hap edhe një operacion paralel për të fshehur provat e krimeve të kryera: “Që nga viti 2001, në katër zona të ndryshme në Serbi janë gjetur varre masive që përmbajnë trupat e 941 shqiptarëve nga Kosova, kryesisht civilë të vrarë jashtë fushëbetejave në Kosovën e vitit 1999. 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës u zbuluan në Batajnicë, në periferi të Beogradit, të paktën 61 në Petrovo Selo dhe 84 në Liqenin Peruçac. Të paktën 52 trupa u gjetën më vonë në varrin e përbashkët të Rudnicës”, thotë qendra e të drejtës humanitare në Beograd.
Operacioni për të shkatërruar provat ishte planifikuar në nivelet më të larta politike dhe ushtarake në Beograd. Vllastimir Gjorgjeviq, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Serbisë, u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata e Hagës për krime të ndryshme, përfshirë organizimin e transportit në Serbi me kamionë frigorifer të trupave të viktimave të vrara gjatë konfliktit në Kosovë. Gjorgjeviq pranoi krimet e tij. Kur flasim për Tribunalin e Hagës, duhet të shqyrtojmë një element: Këto janë dënime penale, të cilat pastaj ripërshkojnë hollësisht fajet individuale të të pandehurve në raste të veçanta kriminale. Të pretendosh të trajtosh luftërat e Ballkanit pa marrë parasysh këto materiale të çmuara do të thotë të heqësh dorë nga kuptimi i fakteve rrjedhjes së ngjarjeve.
Lypet një reflektim mbi çmimin e nacionalizmit dhe luftës që ka paguar popullata civile. Është e qartë se serbët kanë vuajtur gjithashtu në konfliktet e Ballkanit dhe krime janë kryer gjithashtu kundër tyre. Dhe, çka është edhe më serioze, disa nga komunitetet e tyre janë zhdukur përgjithmonë nga vendet ku kanë jetuar për shekuj me radhë dhe se në fund të luftërave Serbia ishte vendi i rajonit që mori numrin më të madh të refugjatëve nga shtetet fqinje. Kjo ishte si pasojë çmimi i luftës së nxitur nga nacionalistët serbë, ushtrisë jugosllave dhe udhëheqjes së Beogradit (dhe më vonë edhe nga nacionalistët kroatë e shqiptarë), rezultati i zgjedhjes për të armatosur pakicat serbe në Kroaci dhe Bosnje dhe komunitetet serbe në Kosovë, krijimin e milicive dhe republikave serbe të vetëshpallura në Krajinë (në pjesën e Kroacisë të pushtuar nga serbët) dhe në Bosnje.
“Elementet e UÇK-së janë gjithashtu përgjegjëse për sulmet e pasluftës mbi serbët, romët dhe joshqiptarët e tjerë, si dhe rivalët politikë të përkatësisë etnike shqiptare. Menjëherë pas ardhjes së NATO-s në Kosovë, u kryen djegie e plaçkitje sistematike të shtëpive që u përkisnin serbëve, romëve dhe pakicave të tjera, si dhe shkatërrime të kishave dhe manastireve ortodokse”, shkruan Human Rights Watch. “Ky shkatërrim u kombinua me intimidime dhe kërcënime të dizajnuara për t’i detyruar njerëzit të iknin nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre. Deri në fund të vitit 2000, më shumë se 210 000 serbë kishin ikur nga provinca; shumica e tyre u larguan në gjashtë javët e para të vendosjes së NATO-s”. HRW vazhdon: “Që nga 12 qershori i vitit 1999, një mijë serbë dhe romë janë vrarë ose janë zhdukur. Banda kriminale ose individë hakmarrës mund të kenë qenë të përfshirë në disa incidente të luftës. Me shumë gjasa elementet e UÇK-së kanë qënë kryesisht përgjegjëse për shumë prej këtyre krimeve. Dëshira për hakmarrje jep një shpjegim të pjesshëm, por ka edhe një objektiv të qartë politik në shumë prej këtyre sulmeve: largimin nga Kosova të njerëzve joshqiptarë në mënyrë që të legjitimohej më thjeshtë arsyetimi mbi nevojën një shteti të pavarur”.
Logjika e spastrimit etnik dhe nacionalizmi etnik është i paepur. Për ta imponuar atë te të tjerët do të thotë në njëfarë mënyre përpjekje për ta justifikuar dhe për ta konsideruar të ligjshme, derisa si përfundim ai kthehet kundër atyre që e promovuan. Para luftës numëroheshin diku rreth 200 000 serbë në Kosovë. Sot është e vështirë të përcaktohet numri i tyre – sepse regjistrimi i vitit 2011 u bojkotua nga një pjesë e madhe e pakicës serbe – por vlerësohet se kjo shifër sot nuk e tejkalon 130 mijëshin, nga rreth dyqind mijë njerëz të periudhës para luftës. Një histori e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë luftës në Kroaci, me krijimin dhe pastaj me përfundimin e shtetit separatist të serbëve të Kroacisë, të ashtuquajturës Republikës Serbe të Krajinës, që lindi mbi parimin e dëbimit të kroatëve nga territori. Rezultati përfundimtar ishte se pas konfliktit, pakica serbe në vend tkurr nga 12.2 për qind e popullsisë e vitit 1991 në 4.3 për qind të vitin 2011.
Gjatë një ndërhyrjeje të tij në Festivalin e e Librit të Romës, filozofi marksist slloven Slavon Zizek do të shprehej: “Nuk më pëlqen ajo që unë e quaj mazokizëm të së majtës evropiane”. “Shumë majtistë ndihen kaq fajtorë saqë mendojnë se çdo gjë e keqe që ndodh në vendet në zhvillim duhet domosdoshmërisht të jetë një efekt i kolonializmit evropian”. Ai rrëfeu se si një mikeshë afrikane, militante e së majtës radikale, duke iu referuar gjenocidit në Ruandë dhe fajeve të kolonializmit evropian, i kishte thënë atij: “Këta radikalët e majtë evropianë janë aq racistë sa ata mendojnë se ne afrikanët jemi aq fëmijë dhe aq të paaftë për të bërë në të vërtet të keqen? Përkundrazi, unë ju siguroj se ne gjithashtu dimë se si të jemi shumë të keq, pa ndihmën e askujt”, vazhdoi Zizeku në reflektim mbi perceptimin e të majtës evropiane mbi luftërat e ish-Jugosllavisë.
Paralelisht mund të themi se ekziston një e majtë radikale intelektuale dhe gazetareske në Evropë që e sheh të keqen vetëm kur përfshihet Perëndimi ose Shtetet e Bashkuara dhe interesat e tyre. Kjo qasje përjashton mundësinë e një debati serioz dhe të thellë mbi temën e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e popullsisë civile dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare – përfundimisht të delegjitimuara nga lufta në Irak e vitit 2003 – por që sigurisht nuk ka humbur rëndësinë në vitet e fundit, siç tregojnë rastet dramatike të Sirisë dhe Birmanisë, vetëm për të dhënë dy shembuj.
Për fat të keq është një strabizëm i lashtë. Por, ndoshta do të ishte e dobishme të reflektohej se si këto lloj interpretimesh dhe leximesh të historisë së kohëve të fundit pasqyrojnë mbi Evropën dhe Perëndimin e sotëm, një realitet në të cilin mbizotërojnë nacionalizmi etnik, racizmi, jotoleranca, antisemitizmi dhe islamofobia. Edin Hajdarpashiq është lektor i Historisë moderne evropiane në Universitetin Loyola në Çikago. Është autore i librit “E kujt është Bosnja? Nacionalizmi dhe imagjinata politike në Ballkan, 1840-1914”.
Ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara duke ikur nga lufta nga Bosnja në moshën 16-vjeçare. Dhe, tregon për hutimin e tij kur, duke folur për vendin e tij me miqtë e tij amerikanë, i pa ata të bindur se asgjë e ngjashme nuk mund të kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara. Ai u përpoq të shpjegonte se edhe në Bosnje askush nuk priste që kreu politik i serbëve boshnjakë, Radovan Karaxhiq, “poet qesharak dhe psikiatër i varfër i fiksuar me viktimizimin serb, do të merrte aq shumë vota në zgjedhje, lëre më skepticizmin mbi aftësinë për të organizuar një lëvizje përçuese të gjenocidit dhe spastrimit etnik. E megjithatë kjo është ajo që ndodhi përbrenda një harku kohor më të paktë se një dekadë”.
“Për Anders Breivikun, terroristin norvegjez që vrau 77 vetë në një sulm në vitin 2011, Karaxhiqi nuk ishte vetëm një kryqtar tjetër nga një e kaluar e largët, por një idhull i gjallë, dikush që ai do të donte të takonte”, shkruan Hajdarpaashiqi. “Brenton Tarrant, autori i masakrës në Zelandën e Re, gjithashtu falënderoi Karaxhiqin së bashku me ‘mbrojtësit’ e tjerë të krishterë të Evropës kundër ‘valës’ myslimane dhe më përgjithësisht të imigrantëve me ngjyrë. Ashtu si Breiviku, Tarranti përdori një pjesë të konsiderueshme të manifestit të programit të tij për të rikthyer dhe përditësuar fantazitë e Karaxhiqit, duke filluar nga kërcënimi demografik mysliman ndaj nevojës për dhunë parandaluese kundër pushtuesve jo të bardhë… Në internet dhe në jetën reale, ai gjeti një rrjet aleatësh në rang global, që u ngallëzyen nga fantazitë e tij të dhunshme. Ky është një indeks i transformimit të natyrës dhe historisë së lëvizjeve ekstremiste, të cilat tashmë kapërcejnë përmasën gjeografike dhe lulëzojnë në rang globale dhe emulacion të ndërsjelltë”.
“Kuptimi i fuqisë tërheqëse bashkëkohore të nacionalizmit dhe supremacisë së bardhë, si aspekte të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, është qenësore për çdo përpjekje për të mposhtur këto lëvizje”, përfundon Hajdarpashiq. “Me fjalë të tjera, duhet t’i rezistojmë mendimit ngushëllues por të rremë se ideologjitë e dhunshme në vrasjet masive do të mbeten vetëm në Zelandën e Re, në Bosnje apo diku ‘atje tej’”.
(Autori është zëvendëskryeredaktor i të përjavshmes italiane “Internazionale”. Përkthyesi është studiues i marrëdhënieve italo-shqiptare)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKëshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A