LAJMI I FUNDIT:

Gjuriq thotë se Lista Serbe është e gatshme të rrëzojë qeverinë Haradinaj

Gjuriq thotë se Lista Serbe është e gatshme të rrëzojë qeverinë Haradinaj

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Lista Serbe nuk do të kthehet në institucionet e Prishtinës.

Madje, siç ka thënë ai, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Lista Serbe as nuk mbështet qeverinë në Prishtinë dhe se është e gatshme për të mbështetur çdo parti politike për të rrëzuar qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ai këtë thuhet ta ketë thënë, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë në gjashtë muajt e fundit është arritur në bojkotimin e institucioneve të Kosovës.


“Kjo nuk do të thotë se ata janë të gatshëm për t’i dorëzuar këto institucione tek shqiptarët”, citohet të ketë thënë Gjuriq pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka vlerësuar se me daljen në zgjedhjet lokale në katër komunat serbe në veri të Kosovës kanë parandaluar shqiptarët në Prishtinë për të marrë kontrollin e tyre.

Ndryshe, Gjuriq një ditë më pare ka paralajmëruar siç ka thënë “kundërmasa ndaj Kosovës”. /Telegrafi/