LAJMI I FUNDIT:

Shala: MTI do të ndajë 40 hektarë tokë në Malishevë për “Parkun Ekonomik nga Diaspora”

Shala: MTI do të ndajë 40 hektarë tokë në Malishevë për “Parkun Ekonomik nga Diaspora”

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për projektin “Parku Ekonomik për Bizneset nga Diaspora në Malisheve”, bashkë me Ministrinë e Diasporës dhe Unioni i Bizneseve Shqiptaro- Gjermane.

Ministri Shala tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë Qeveria e Republikës së Kosovën po bën hapin e parë për afrimin e investitorëve nga diaspora, me punë konkrete,

“Ashtu siç kanë kontribuar për mirëqenien ekonomike dhe sociale të vendit tonë për dekada me radhë, ashtu siç kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës, tash është koha që bizneset nga diaspora të kontribuojmë edhe në zhvillimin ekonomik. Është hera e parë që Qeveria e Kosovës iu ofron mundësi konkrete përfaqësuesve të bizneseve të diasporës për investime në Kosovë. Ky është vetëm hapi i parë, dhe sipas kërkesave të bizneseve do t’iu ofrojmë edhe lehtësira të tjera në mënyrë që zhvillimin ekonomik të vendit tonë ta bëjmë së bashku”, tha ministri Shala.


Sipas tij, diaspora ka rol të pamohueshëm në ndërtimin e Kosovës për dekada me radhë, dhe po mos të ishte diaspora, as sot Kosova nuk do të ishte kështu.

“Falënderues përjetësisht për atë që keni bërë për Kosovën. Por tash është koha që edhe Qeveria e vendit tuaj, t’iu krijojë kushte që kapitalin tuaj ta investoni në Kosovë, duke ndikuar në rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Shala.

Ministri Shala bëri të ditur se MTI-ja do të jetë adresë e shqetësimeve të bizneseve të diasporës në çdo kohë që kanë nevojë.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë adresa e juaj 365 ditë të vitit që ju t’i adresoni shqetësimet tuaja, nëse i keni, dhe do të punojmë shumë që bizneset e diasporës të kenë kushte dhe mundësi që të punojnë në Kosovë”, tha ministri Shala.

Qëllimi i kësaj Marrëveshje të bashkëpunimit është realizimi i projektit “Parku Ekonomik për Biznese nga Diaspora në Malishevë” dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë zotohet që pronën e Parkut Ekonomik do ta japi në shfrytëzim për investitorët nga Diaspora, sipërfaqen në fazën e parë prej 15 hektarëve, me mundësi rritjeje në 40 hektar, për 99 vite. MTI zotohet të financojë ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Ekonomik.