LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u padit Ministrinë e Arsimit për vendimin e kompensimit të orëve të humbura

SBASHK-u padit Ministrinë e Arsimit për vendimin e kompensimit të orëve të humbura

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do ta dorëzojë sot padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me vendimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për kompenzimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Sot me datë 04.03.2019, në ora 13:15 SBASHK-u do ta dorëzoj në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Administrativ, në rrugën Nekibe Kelmendi p.n,( Te Pallati i drejtësisë) padinë ndaj vendimit Nr.911 të datës 27.02.2019, i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.03.2019, i nënshkruar nga ministri Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës”, kanë bërë të ditur nga SBASHK.


Një javë më parë, MASHT mori vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBASHK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur do të zëvendësohet si në vijim: pesë ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019; pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019 dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Greva në arsim nisi më 14 janar dhe zgjati deri me 2 shkurt. /Telegrafi/