LAJMI I FUNDIT:

Panairi në Prishtinë: Taksa ndaj Serbisë rrit shitjen e prodhimeve vendore

Panairi në Prishtinë: Taksa ndaj Serbisë rrit shitjen e prodhimeve vendore

Në Prishtinë ka filluar festa për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në mesin e shumë aktiviteteve që po zhvillohen sot është edhe hapja e panairit të prodhimeve vendore në Sheshin “Adem Jashari” në kryeqytet, ku prodhues nga vende të ndryshme të Kosovës kanë dalë për t’i promovuar produktet e tyre.

Prodhuesit kosovarë thonë se panairet janë mundësi e mirë për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Por, ata shprehen të pakënaqur me vendin ku po mbahet panairi, meqë sipas tyre, sheshet kryesore në Prishtinë kanë më shumë qarkullim dhe aty do të ishte më mirë të vendoseshin me produktet e tyre.

Afërdita Murati që merret me kultivimin dhe përpunimin e frutave të imëta, ka ardhur nga Podujeva që të ekspozojë produktet e saj.


“Unë marrë pjesë që tre vite në tregun mobil në Prishtinë që është organizuar nga komuna me Bashkimin Evropian, marrë pjesë edhe në panaire të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës. Shpresoj të kemi vizitorë, për mëngjes njëherë numri i vizitorëve është i vogël, ndoshta edhe lokacioni nuk është i përshtatshëm. Nëse kishte qenë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ do të ishte shumë më mirë”, tha ajo.

Murati tregon që vetëm të kultivosh dhe të dërgosh frutat e imëta nëpër pika grumbulluese, nuk ia vlen, andaj panairet janë një mundës e mirë për të.

Ndërsa Sami Islami, bletar, thotë se që nga vënia e taksës 100% për produktet serbe, është vërejtur rritje e shitjes së produkteve vendore.

“Viteve të tjera ka qenë më mirë sepse ka qenë në qendër, te ‘Zahir Pajaziti’, këtu ka më pak qarkullim dhe më pak punë, por ja vlen e marr pjesë… Kërkohen produktet vendore, ka shtim të shitjes prejse janë vendosur masa ndaj Serbisë, shitet mjalti më shumë, por kemi problem sepse shitet shumë mjaltë në të zezën dhe ka false”, tha ai.

E për Shehide Restelicën, ky është viti i katërt që merr pjesë në panaire të tilla.

“E kam punëtorinë ‘Te Hida’, merrem me turshi, viti i katërt është sivjet, i kam katër punëtore… Me na ndihmuar pak komuna është mirë, nuk na ndihmon askush, vetë me financa tona. Panairi të ndihmon gjithmonë, pa panair nuk kemi ku me i shit produktet”, tha ajo.

Ndërsa, Raza Demolli që merret me pemë dhe perime, thotë se kanë nevojë që të marrin pjesë më shpesh në panaire.

“Ia vlen, por të ketë më shpesh, se pak. Është një pauzë e gjatë prej tregut, prej dhjetorit deri në prill më nuk mundemi të shesim, të bëhen më shpesh panairet, jo kaq rrallë, në tre muaj-katër një herë”, tha ajo.

Ndryshe, panairi i produkteve vendore në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë do të qëndrojë i hapur deri nesër. Panairi vjen në kuadër të organizimeve të shumta që ka bërë shteti i Kosovës për të shënuar 11-vjetorin e Pavarësisë./Telegrafi/