LAJMI I FUNDIT:

KPM reagon mbi formën e raportimit për viktimën e abuzimit seksual në Drenas

KPM reagon mbi formën e raportimit për viktimën e abuzimit seksual në Drenas

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) reagon ndaj formës së raportimit të disa ofruesve të shërbimeve mediale audio-vizuele, të cilët nuk kanë respektuar plotësisht rregullat dhe parimet e etikës gjatë raportimit të abuzimit seksual të një miture në Drenas nga një mësimdhënës dhe një polic.

Me këtë rast, KPM u tërheq vërejtjen të licencuarve se zbulimi i identitetit të të miturve që janë viktima të abuzimit është në kundërshtim me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale, përkatësisht me të drejtat individuale.

“Paraqitja e tillë e identitetit të fëmijëve dhe të miturve në programe paraqet shkelje të legjislacionit të KPM-së që mbron të miturit, më saktësisht Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM 2016/03 dhe Rregullores KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale”, përkujton KPM.


KPM ua rikujton ofruesve të shërbimeve mediale audio-vizuele se ata persona që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke e respektuar të drejtën e plotë të privatësisë të tyre.

Komisioni i Pavarur i Mediave është duke monitoruar në vazhdimësi raportimin e të licencuarve lidhur me rastin e lartpërmendur, me qëllim që të sigurojë pajtueshmëri të plotë me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së, përfundon reagimi. /Telegrafi/