LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Vushtrrisë dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë 25 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale

Komuna e Vushtrrisë dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë 25 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale

Komuna e Vushtrrisë dhe Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë 25 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe që janë pa strehim në Komunën e Vushtrrisë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe humanisti Halil Kastrati nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit.

Për 22 shtëpi Komuna e Vushtrrisë do të participojë me shumën prej 5000 euro, 2 shtëpi do të dhurohen nga Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” ndërsa pjesa tjetër e mjeteve financiare do të sigurohet nga Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit”.


Komuna e Vushtrrisë është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndajë një tokë komunale në mënyrë që të gjitha shtëpitë të ndërtohen në një lokacion.

Këtij aktiviteti humanitar i është bashkuar edhe kompania “FITIMI” me pronar Halil Jonuzi nga Vushtrria që do të ndërtojë me mjetet e saj 1 shtëpi.

Kryetari Tahiri me këtë rast ka deklaruar që humanisti Halil Kastrati po bënë një punë të jashtëzakonshme në ndihmë familjeve në nevojë.

Vetëm në vitin 2018, Shoqata Humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka ndihmuar me shtëpi dhe banesa 13 familje në Vushtrri, gjithnjë duke i bashkërenduar këto aktivitete humanitare me Komunën e Vushtrrisë.

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë do të themelojë një Komision bashkë me Shoqatën Humanitare “Jetimat e Ballkanit” që do të përzgjedhin familjet përfituese.