LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë ankohen për mungesë hapësirash rekreative për ta (Video)

Të rinjtë ankohen për mungesë hapësirash rekreative për ta (Video)

Krahas studimeve një pjesë e madhe studentëve kosovarë, kohën e lirë e shpenzojnë në aktivitete të ndryshme sportive e rekreative, duke lexuar, por edhe në kinema e teatro. Megjithatë, shumica e tyre ankohen për mungesë hapësirash rekreative për ta.

Universitetet publike dhe kolegjet private, në Kosovë, kanë mbi 110 mijë studentë. Studimet janë prioriteti kryesore, kurse koha e lirë mbetet për argëtim dhe rekreacion.


Studentja Genta Kastrati, thotë se përveç studimeve merret pak me aktivitete.

“Përveç studimeve, punën që e bëjmë dalim e ecim pak, ndoshta pak çiklizëm dhe asgjë tjetër. Këto janë që mundemi t’i bëjmë brenda vendit”, thotë Kastrati.

Medin Dermaja, student, thotë se nuk ka shumë aktivitete dhe se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim.

“Për fat të keq nuk ka shumë aktivitete, por unë personalisht mundohem që mos ta lë vetën rahat pre aktiviteteve. Krahas studimeve, mundohem që ta shfrytëzoj teatrin dhe leximin. Ka hapësira, por ma merr mendja të punohet më shumë në këtë drejt drejtim që fatkeqësisht jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan në përgjithësi nuk punohet me të rinj”, thotë studenti Dermaja.

Ndërsa, studentja Rina Rama, thotë se nuk ka shumë hapësira për aktivitete dhe rekreacion.

“Në kinema më shpesh sesa në teatër. I përcjelli më shpesh këta filmat e rinj, shkoj shpesh. Nuk ka shumë hapësira. Nuk ma merr mendja që ka shumë”, thotë Rama.

Shumica e të rinjve ankohen për mungesën hapësirash rekreative për ta. /REL /Telegrafi/