LAJMI I FUNDIT:

Këshilltari i Pacollit për tërheqjet e njohjeve për Kosovën, tregon se cilat janë “fake news” e cilat “fakte” (Foto)

Këshilltari i Pacollit për tërheqjet e njohjeve për Kosovën, tregon se cilat janë “fake news” e cilat “fakte” (Foto)

Jetlir Zyberaj, këshilltari i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook ka thënë se në mungesë të kreativitetit diplomatik, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, për faktin se përfaqëson mentalitetin e vjetër nacionalist të Millosheviqit, të vetmen temë me të cilën merret e ka rajonin dhe Kosovën.

Sipas Zyberaj, Ivica Daçiq po bashkëpunon shkëlqyeshëm me mediat në Beograd, në funksion të përhapjes së lajmeve të rreme.

“I përdorë e keqpërdorë ato, me qëllim që ta bëjë propagandën e tij të duket më e besueshme. Po ashtu, ai takon personalitete të vendeve të largëta, të cilat nuk kanë njohuri për zhvillimet në rajon, dhe edhe atyre provon tu shesë narracionin e tij të rremë e mashtrues. U premton atyre heqjen e vizave, furnizim me armë, bursa për studentë”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.


Madje, sipas tij, Vuçiq, një ditë flet për numrin e njohjeve, të nesërmen deklaron se nuk e di se sa janë ato.

“Ka vetëm një të vërtetë, e vërteta është që Serbia e ka zgjedhur mënyrën më fatale të menaxhimit të presionit të brendshëm nga protestat, dhe atij ndërkombëtar për tu pajtuar me njohjen e Kosovës, siç e ka njohur e gjithë bota, shtet i pavarur e demokratik. Fatale, sepse së shpejti ‘Mbreti do të shihet ashtu siç është’!”, ka shkruar tutje Zyberaj.

Gjithashtu, këshilltari i Pacollit ka publikuar disa fotografi në të cilat sipas tij shihet se çfarë është e vërtetë e çfarë lajm i rremë.

Ndryshe, së fundmi, ministri i jashtëm serb ka thënë se edhe Palau ka bërë tërheqjen e njohjes për Pavarësinë e Kosovës.

Një masë e tillë, sipas raportimeve u bë e ditur nga Presidenti i Palaut, Tommy Remengesau, i cili u takua me përfaqësues të institucioneve serbe në Beograd.

Por Ministria e Jashtme, e ka cilësuar këtë si një propagandë të mediave serbe, dhe e ka mohuar mundësinë që Palau ta tërheq njohjen.

Këshilltari në MPJ, Fatmir Haxholli ka thënë për Telegrafin se protestat që po bëhen në Serbi, po e detyrojnë diplomacinë serbe të “dinamizojë përdorimin e gënjeshtrave”. /Telegrafi/