LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria me detaje të reja për mishin e prishur në Pejë dhe personat e dyshuar

Prokuroria me detaje të reja për mishin e prishur në Pejë dhe personat e dyshuar

Tre persona në Pejë me inicialet S.Sh,  R.Sh dhe M.B, të enjten janë arrestuar për veprën penale “Vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin zyrtari për informim dhe monitorimin e mediave në Prokurorinë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.


Sipas tij, i pandehuri S.Sh me qëllim të shitjes vë në qarkullim mbi njëmijë kilogramë (kg) mish të dëmshëm ushqimor për të cilat e dinte që janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve.

“Me datën  16.01.2019 nga Policia e Kosovës, kemi pranuar informatën për gjetjen e një sasie të konsiderueshme të mishit, ashtu që kjo prokurori ka ndaluar tre persona. Prokuroria Themelore në Pejë dje me dt. 17.01.2019 nga Policia e Kosovës ka pranuar kallëzimin penal kundër të S.Sh.,  R.Sh. dhe M.B., pasi kemi analizuar këtë kallëzim penal, me dt. 17.01.2019 kemi marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre të lartcekurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit duke vepruar si bashkëkryerës kishin për të kryer vepër penale ‘Vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor’ nga neni 267 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e kryer me datën 16.01.2019, ku i pandehuri S.Sh., me qëllim të shitjes vë në qarkullim mbi 1,000kg mish të dëmshëm ushqimor për të cilat e dinte që janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve”, ka thënë Nikçi.

Agjencia e Ushqimit: Mishi i gjetur në Pejë kishte erë kundërmuese, jashtë çdo standardi sanitar dhe higjienik
Lexo po ashtu Agjencia e Ushqimit: Mishi i gjetur në Pejë kishte erë kundërmuese, jashtë çdo standardi sanitar dhe higjienik

Ai po ashtu theksoi se Prokuroria Themelore në Pejë, kundër të pandehurit S.Sh. bazuar në faktin se i njëjti është recidivist i këtyre veprave penale ka parashtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit për shkak se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë institut procedural.

Ndërkaq, zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë treguar për Telegrafin se mishi i gjetur në Pejë të mërkurën ka qenë jashtë çdo standardi teknik – sanitar dhe higjienik.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi ka konfirmuar për Telegrafin se pas informatës së dhënë në Policinë e Kosovës në Pejë se në një fermë është marrë një kafshë e ngordhur kanë filluar inspektimet në terren.

Thaçi ka konfirmuar se zyrtarët e kësaj agjencie gjatë inspektimit kanë hasur në kafshën e copëtuar, e cila dyshohet të ketë qenë e ngordhur.

Ai ka bërë të ditur se sasia e mishit është konfiskuar për shkak të mungesë së dokumentacionit për produktet e gjetura dhe kushteve jo adekuate të ruajtjes.

Ndryshe, zëdhënësi i AUV-së ka treguar se gjatë vitit 2018 janë asgjësuar 149,065 kg mish dhe nënprodukte të mishit. /Telegrafi/