LAJMI I FUNDIT:

Ftohtë dhe reshje të dendura bore

Ftohtë dhe reshje të dendura bore
Foto: Arkiv

Vorbulla ciklonike nga Atlantiku, që po depërton mbi Evropën Qendrore dhe Lindore do të formojë edhe një vorbull dytësore mbi Itali, e cila ditëve në vijim do të kaloj edhe nga rajoni ynë.

Masat e lagështa nga Mesdheu që do të sjellë kjo vorbull dhe masat e ftohta ajrore arktike që po depërtojnë nga veriu i kontinentit do të krijojnë kushte për reshje më të qëndrueshme bore ditën e enjte.


Ndërkohë në fundjavë sërish do të depërtojë acar nga verilindja e kontinentit që do të zbresë sërish temperaturat nën vlera mesatare.

Në kushtet që parashihet të mbajnë ditëve në vijim, sidomos nga dita e premte, cilësia e ajrit do të pësojë përkeqësim, ndërsa vlerat e indeksit do të rriten edhe në vlera të pashëndetshme.

Temperaturat e ajrit do të vazhdojnë të mbeten nën vlera mesatare. Minimalet do të luhaten nga -8C deri në -5C, e maksimalet nga -4C deri në -1C. Në fundjavë minimalet mund të zbresin edhe deri në -12C. Në viset e mbuluara me mjegull, temperaturat do të jenë edhe më të ulëta.

Era do të fryjë lehtë dhe mesatarisht e fuqishme nga juglindja dhe verilindja 2-10m/s. Shtypja atmosferike, me afrimin e vorbullës ciklonike, do të pësojë rënie të thellë nën vlera normale.