LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Rugovën e gjeta duke qarë, kur ia ofrova dorëheqjen

Haradinaj: Rugovën e gjeta duke qarë, kur ia ofrova dorëheqjen

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shpjeguar se si i kishte treguar presidentit Ibrahim Rugova se do të dorëhiqej nga posti i të parit të ekzekutivit, 100 ditë pasi e mori këtë detyrë.

Haradinaj u detyrua që ta lë Qeverinë në mars të vitit 2005 për shkak se u ftua nga Tribunali i Hagës.

“U mërzit shumë”, tregon Haradinaj.


“Ish kanë tu qajtë. I pikshin lotët. Ai më ligu se unë isha i fortë”, ka treguar Haradinaj në Pressing të T7.

“I thash: ‘O president mos e ki merak se i kapërcejmë këto’”, tregon t’i ketë thënë ai.

Ai tha se me Rugovën është marrë vesh për qeverisjen e vendit në pranverën e vitit 2004, pas trazirave të marsit të atëhershëm.

Shefi i ekzekutivit ka kujtuar se me Rugovën ka biseduar pas një takimi që kishin pasur figurat e vendit me zyrtarët perëndimorë.

“Më tha: ‘Ramush bre, të pata vetë më 2001… A po i bëjmë bashkë institucionet’”, ka kujtuar Haradinaj t’i ketë thënë Rugova.

“Çka po ta merr mendja, në vjeshtë?”, i kishte thënë Rugova, Haradinajt, ka treguar ky i fundit.

Haradinaj ka thënë t’i jetë përgjigjur pozitivisht ofertës së Rugovës.

“I thashë: Po, nëse na dalin numrat, për hair na qoftë”, ka kujtuar Haradinaj.

“Ia kam dhënë dorën, e shikova në sy”, ka theksuar ai.

Haradinaj tregoi se i ka vazhduar deri në vdekje komunikimet me Ibrahim Rugovën.

Foto nga arkivi