LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët e pavaksinuar i kthejnë nga çerdhet, por jo edhe nga çerdhet private

Fëmijët e pavaksinuar i kthejnë nga çerdhet, por jo edhe nga çerdhet private

Në vend të çerdhes, një pjesë e prindërve sot i çonin fëmijët tek ambulancat t’i vaksinojnë fëmijët që nuk e kanë marrë vaksinën MRP. Disa nga to thonë se kanë anuluar vaksinimin për shkak se fëmijët shumë shpesh janë sëmurë. Të brengosur për shëndetin e fëmijëve të tyre, fajin e zgjerimit të epidemisë së fruthit e vendosin tek autoritetet shëndetësore që kanë lejuar të ketë fushata anti-vaksinim.

Në çerdhe sot është ulur numri i fëmijëve. Disa drejtorë thonë se në mëngjes ka pasur prindër që kanë qenë të detyruar t’i kthejnë fëmijët e tyre për shkak se nuk kanë qenë të vaksinuar. Nga atje thonë se nuk kanë numër të saktë se për sa raste bëhet fjalë, as që kanë të dhëna të sakta se sa fëmijë nuk janë në çerdhe për shkak të ndalesës së sjelljes së fëmijëve të pavaksinuar në çerdhe, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas informacioneve të “Makfaks”, një pjesë e çerdheve private sot i kanë pranuar fëmijët e pavaksinuar, por duku ju thënë prindërve se nesër nuk do ta bëjnë të njëjtën gjë. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se ndalesa ka të bëjë për të gjitha çerdhet shtetërore dhe private duke shtuar se çerdhet duhet të zbatojnë masa kundër epidemisë dhe higjienike dhe se dënimet për mos-vaksinim janë nga 350 deri 650 euro.


Nga ministria e Shëndetësisë thonë se vaksinimet mund të bëhen në poliklinikat “Jane Sandanski”, “Bukuresht”, dhe “Bit-pazar” dhe se do të punojnë edhe në ndërrimin e dytë. Sipas të dhënave të ministrisë, deri në orën 15:00 janë vaksinuar 371 fëmijë./Telegrafi/