LAJMI I FUNDIT:

Unitedi bindës në fitoren ndaj Huddersfieldit

Unitedi bindës në fitoren ndaj Huddersfieldit
Manchester United (Foto: Gareth Copley/Getty Images/Guliver)

Me rezultat 3-1, Manchester Unitedi ka fituar ndaj Huddersfield Town, në ndeshjen e zhvilluar në Old Trafford, e vlefshme për xhiron e 19-të në Ligën Premier.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 28-të të takimit me golin e Nemanja Matic dhe me këtë epërsi minimale, skuadrat shkuan në pushim.


Në gjysmën e dytë doli në skenë mesfushori francez, Paul Pogba, i cili e gjeti rrjetën dy herë.

Dy gola nga Paul Pogba (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Golin e parë e shënoi pas asistimit nga Ander Herrera (64′), kurse në të dytin u asistua nga Jesse Lingard (78′).

Mysafirët arritën që ta shënonin së paku golin e nderit në këtë sfidë me ana të Mathias Jorgensen (88′).

Manchester Unitedi do të përpiqet të ngritet në tabelë pas rezultateve jo të mira gjatë këtij sezoni. Aktualisht, mban vendin e gjashtë me 32 pikë, ndërsa padyshim se do ta synojë top-katërshen.

Vazhdon paraqitja e mirë e Unitedin nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer (Foto: Gareth Copley/Getty Images/Guliver)

Huddersfield Town është në fund të tabelës dhe po kalon një sezon zhgënjyes, së paku deri më tani.

Në xhiron e radhës, Djajtë e Kuq luajnë në shtëpi kundër Bournemouth, ndërsa Huddersfieldi është mysafir i Fulhamit. /Telegrafi/